Lewis Hamilton triumfon në Çmimin e Madh të Katarit përballë Max Verstappen, i cili korrigjoi penalitetin e minutës së fundit në vendosjen në start, ndërsa Fernando Alonso u ngjit në shkallën e tretë të podiumit me Alpine. Garë pa histori për vendin e parë dhe të dytë por e gjallë në pozicionet që caktojnë pikë (Perez i katërt, Ocon i pesti) dhe fatkeqësisht anonime për Ferrarin që nuk shkoi përtej vendit të shtatë dhe të tetë me Carlos Sainz dhe Charles Leclerc.
Mercedes superior, Lewis Hamilton gjithashtu. E me dënimin prej 5 pozicionesh që iu bë Max Verstappen në mëngjes për mosrespektimin e flamurit të verdhë në kualifikuese, GP e Katarit u vendos praktikisht që para fillimit. Në dritat e Losail shkëlqeu edhe një herë ylli i Hamilton, i cili pas Brazilit i dha një tjetër goditje Verstappenit, duke iu përgjigjur dy fitoreve të rivalit holandez në Austin dhe Mexico City, duke e çuar veten në vetëm 8 pikë distancë dy gara para fundit.
Max u tregua shumë i aftë në reagimin pas penalitetit, duke rikuperuar tre vende në start për të marrë më pas me lehtësi vendin e dytë. Por edhe ky GP vërtetoi gjithashtu se Mercedes, pas Meksikës, është bërë i pandalshëm. Hamilton fluturon, Verstappen nuk mban ritmin në xhiron e garës, por duhet të ketë parasysh se me dy fitore në Jeddah dhe Abu Dhabi titulli do t’i shkojë Lewisit, pavarësisht pozicionimit të Max.