UBT News

​Evropiani i Xhudos mund të zhvillohet sërish në Kosovë

Fitimi i së drejtës që Kosova t’i organizojë Lojërat Mesdhetare 2030 ishte pika kulmore e zhvillimit të sportit tonë gjatë 2023-së. Lojërat Olimpike dhe Platforma Evropiane Sportive, ishin dy ngjarjet madhore të këtij viti.

Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi ka thënë se përmes përkushtimit dhe investimeve që duhen bërë në këto lojëra, Kosova dhe institucionet e saj kanë dëshmuar se janë të gatshme për t’i dhënë sportit mbështetjen e duhur, madje edhe me investime direkte, siç është shifra prej mbi 250 milionë euro për ndërtimin dhe rinovimin e infrastrukturës sportive.

“Padyshim që Lojërat Mesdhetare janë historike dhe është kulmore, sepse është një ngjarje shumë e madhe, që nuk ka ndodhur më herët në Kosovë, mirëpo, mund të them që për një kohë shumë të gjatë nuk ka ndodhur edhe në rajon… Jam shumë i kënaqur që tani edhe qeveria e ka kuptuar që sporti luan rolin diplomatik në një shtet dhe po shihet që të arriturat përmes sportit po ndikojnë pozitivisht në shtetin e Kosovës. Kështu që me këto investime. Kështu që me këto investime, 250 milionë euro, a janë të mjaftueshme apo jo, ende nuk e dimë, por besoj që qeveria është e gatshme që të shtojë vlerën e kësaj shumë nëse ka nevojë”, tha Krasniqi.

Për më tepër, viti i kaluar u karakterizua me organizimin e shumë ngjarjeve ndërkombëtare sportive, por sipas Krasniqit, ky numër i këtyre ngjarjeve mund të jetë edhe më i madh nëse përmirësohen kushtet infrastrukturore në vend.

“Ne si popull jemi mikpritës dhe kjo po na bënë më të fortë. Çdo aktivitet që është bërë në Kosovë, meqenëse është e vërtetë që nuk kemi ende infrastrukturë siç është, jo në Evropë, por ndoshta edhe në rajon, sepse i gjithë rajoni e ka infrastrukturën më të mirë se Kosova. Mirëpo, duke pasur parasysh kushtet të cilat ne i kemi, ne jemi duke bërë një punë të mrekullueshme. Mirëpo, përveç Lojërave Mesdhetare që u cek, nëse bëhen këto ndërtime, e që do të bëhen faktikisht, atëherë çdo federatë do të ketë mundësi të marrë një organizim siç janë Lojërat Evropiane, kampionatet evropiane apo botërore e mos të flasim për kampionate ballkanike, sepse Kosova do të jetë nikoqire e shumë ngjarjeve të mëdha dhe të ndryshme. Kjo na bënë shumë më të fortë dhe promovojnë shtetin në mënyrën më të mirë të mundshme përmes sportit”, tha Krasniqi.

Njëra nga ngjarjet më të mëdha që u zhvilluan në Kosovë ishte Kampionati Evropian i Xhudos, por që Krasniqi zbulon se ky kampionat mund të organizohet sërish në vendin tonë.

“Padyshim se ka qenë një organizim tepër i mirë që tashmë edhe besoj që në vitin e ardhshëm do të jetë ngjarja e njëjtë në Kosovë, ashtu edhe u premtua nga nënkryetari i Federatës Evropiane të Xhudos, i cili deklaroi se Kosova mund edhe vitin tjetër ta organizojë një ngjarje të njëjtë. Besoj që po dhe në vitin tjetër, edhe pse ka qenë mjaft mirë, atëherë do të punojmë edhe më shumë që të jetë edhe më mirë…Mandej fakti nga gëzon që fituam katër medalje, ku Akili e mori vendin e parë, medaljen e artë, na gëzoi shumë. Një ngjarje vërtetë shumë e mirë që duhet të përgëzohet edhe besoj që Federata e Xhudos ka kaluar në një nivel tjetër tashmë”, theksoi Krasniqi.

Teksa vlerëson punën e bërë nga ana e federatave sportive, Krasniqi ndalet me theks të veçantë tek ajo e Xhudos, për të cilën thotë se është në një nivel më të lartë se federatat tjera.

“Rezultatet e xhudos janë shumë të mira, me tri medalje olimpike, kështu që nuk kemi koment sa i përket punës dhe seriozitetit që e bën pikërisht Federata e Xhudos, por njëkohësisht edhe trajneri Driton Kuka që po bën një punë të mrekullueshme. Kur ndalemi te Driton Kuka, është nderë për ne që kemi një trajner të tillë. Nuk është lehtë për një shtet si Kosova ta ketë trajnerin më të mirë në botë të xhudos. Nuk e di sa njerëzit e kuptojnë sa është e rëndësishme kjo punë, mirëpo unë e kuptoj që kjo është një punë shumë e madhe. Paramendoni kur në Kosovë dëshiron gjithë Komiteti i Xhudos në botë dëshiron të vijë dhe të ushtrojë te Driton Kuka, kjo na bënë shumë më të mëdhenj dhe Kosovën e çon në një nivel tjetër”, tha i pari i KOK-ut.

Sa i përket vitit 2024, i pari i KOK-ut ka thënë se vëmendja më e madhe do të jetë në dy ngjarje tejet të rëndësishme.

“Padyshim që ne nuk do të ndalemi, kemi aktivitete të cilat i kemi për çdo vit që do t’i bëjmë, mirëpo normal që fokusi kryesor i Komitetit Olimpik të Kosovës është Parisi 2024. Menjëherë pas Parisit, e kemi edhe Platformën Evropiane për Sport, të cilën e kemi marrë menjëherë pas Lojërave Mesdhetare, një ngjarje shumë e madhe që do të bëhet në shtator 2024, një ngjarje shumë e madhe që do të vijnë 36 shtete evropiane të marrin pjesë për disa ditë në Prishtinë…Këto janë prej dy aktiviteteve më të rëndësishme duke marr parasysh që janë më të mëdha, edhe Lojërat Olimpike Parisi 2024, por edhe Platforma Evropiane sportive që do të mbahet në Prishtinë”, tha Krasniqi.

Ndërsa vëmendje e veçantë sipas Krasniqit gjatë vitit 2024 do t’i kushtohet masivizimit të sportit në të gjithë Kosovën, por edhe mbështetjes gjithnjë e më të madhe të sportistëve të rinj dhe shpresave.

Exit mobile version