Holanda pësoi natën e tretë radhazi të protestave të dhunshme kundër masave të reja antiCOVID-19.
Pesëmbëdhjetë persona u arrestuan në Roosendaal, sipas policisë lokale, pasi ata u përfshinë në një zjarr në një shkollë dhe ndezën fishekzjarre të fuqishme. Protestuesit gjithashtu shkaktuan dëme të mëdha në qytetet Enschede, Groningen, Leeuwarden dhe Tilburg.
Kjo vjen pasi Holanda solli përsëri masa të reja antiCovid në mënyrë që të përballojë valën e re të infektimeve me Covid-19.
Gjatë fundjavës pati gjithsej 145 arrestime. Pesë policë u plagosën në Hagë të shtunën në përleshjet me protestuesit, të cilët hodhën gurë, dogjën biçikleta dhe gjuajtën fishekzjarre, ku nëntëmbëdhjetë persona u arrestuan.
“Zhgënjimit” të qytetarëve i’u shtuan edhe planet e qeverisë për të futur të ashtuquajturat masa “2G”, të cilat do të ndalonin disa vende për të pavaksinuarit, duke përfshirë baret dhe restorantet.
Kurse në Belgjikën fqinje, dhjetëra mijëra njerëz demonstruan në qendër të Brukselit të dielën kundër kufizimeve të përforcuara të COVID-19.
35,000 persona morën pjesë në tubim, megjithatë shumë prej tyre ishin larguar kur demonstrata u shndërrua në dhunë pasi disa qindra njerëz filluan të sulmonin policinë, të thyenin makina dhe t’i vënë flakën kazanëve të plehrave.
Policia u përgjigj me gaz lotsjellës dhe topa uji duke u përpjekur të rivendoste rendin.
Tre zyrtarë policorë dhe një demonstrues u plagosën në përleshjet, kurse 42 protestues u arrestuan.
Marshuesit protestuan kundër çdo lëvizjeje të mundshme që do të mund t’i bënte vaksinat e detyrueshme, transmeton UBT News.
Duke kënduar këngën antifashiste “Bella Ciao”, protestuesit u rreshtuan pas një pankarte të madhe ku thuhej “Së bashku për lirinë” dhe marshuan drejt selisë së Bashkimit Evropian.
Protesta pati edhe në Austri, e cila u bë vendi i parë në BE që vendosi një bllokim mbarëkombëtar në valën e fundit të COVID. Ajo gjithashtu do të prezantojë vaksinimin e detyrueshëm nga shkurti i ardhshëm, gjë që e konfirmoi qeveria.
Pas kësaj, rreth 40,000 njerëz dolën në rrugët e Vjenës për të denoncuar atë që ata e perceptojnë si “diktaturë”. Gjithashtu gjatë së dielës, mijëra protestues u mblodhën për një demonstratë në Linz.
Me mijëra protestues u mblodhën edhe në kryeqytetin e Kroacisë, në përgjigje të futjes së lejeve të detyrueshme për COVID-19 për të gjithë punonjësit në institutcione publike.
Protesta në sheshin Ban Jelaçiç në Zagreb, e quajtur si “Marshi i bardhë i heshtur” në mediat sociale, pa pjesëmarrësit duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit, Andrej Plenkoviç, dhe duke kërkuar zgjedhje të parakohshme./UBTNews/