UBT News

Evropa regjistron marsin më të ngrohtë në histori

Evropa regjistroi marsin e saj më të ngrohtë që nga fillimi i regjistrimeve, me temperatura mesatare që u ngritën pak mbi 6 gradë Celsius, 2.41 gradë më e lartë se mesatarja e viteve 1991–2020, sipas agjencisë së klimës së BE-së Copernicus.

Në nivel global, ky ishte marsi i dytë më i ngrohtë i regjistruar ndonjëherë.

Gjetjet nënvizojnë shqetësimet në rritje se objektivi ndërkombëtar për kufizimin e ngrohjes globale në 1,5 gradë Celsius mbi nivelet para-industriale nuk po arrihet.

“Copernicus” raportoi gjithashtu shtrirjen më të ulët të akullit të detit Arktik të vërejtur ndonjëherë në muajin mars.

Pjesa më e madhe e Evropës Qendrore, përfshirë Gjermaninë, përjetoi kushte jashtëzakonisht të thata.

Qendra Evropiane për Parashikimet e Motit (ECMWF) tha se ky ishte muaji me “ekstreme të kundërta të reshjeve” në të gjithë Evropën – ku shumë zona përjetuan marsin e tyre më të thatë në histori – ndërsa disa të tjera marsin e tyre më të lagësht të regjistruar në të paktën 47 vitet e fundit.

Ministrja gjermane e Mjedisit, Steffi Lemke, e quajti thatësirën aktuale alarmante duke paralajmëruar se pjesë të mëdha të vendit po përballen me një thatësi të pazakontë pranverore.

Ajo tha se kriza klimatike tashmë po ndikon në bujqësi dhe pylltari, duke rritur rreziqet e zjarreve dhe duke rritur mundësinë e reduktimit të korrjeve./ATSH/

Exit mobile version