UBT News

Evropa dhe Japonia në lëvizje për të ndalur shtrenjtimin e rrymës dhe naftës

Situata energjetike globale ka marrë një kthesë kritike këtë të enjte, duke detyruar fuqitë e mëdha të Evropës dhe Japoninë që të ndërhyjnë urgjentisht për të stabilizuar tregjet dhe për të siguruar rrugët kryesore të furnizimit me naftë.

Ky alarm vjen pas një vargu sulmesh reciproke mbi impiantet energjetike që kanë përshkallëzuar ndjeshëm luftën e SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit, duke krijuar një pasiguri që pritet të ndihet direkt edhe në xhepat e qytetarëve në Kosovë përmes rritjes së çmimeve të karburanteve dhe energjisë.

Ekonomitë kryesore botërore po përpiqen me çdo kusht të zbutin goditjen pasi gjiganti “QatarEnergy” raportoi dëme të mëdha nga raketat iraniane në qytetin industrial Ras Laffan, i cili proceson rreth një të pestën e gazit natyror të lëngshëm në botë.

Sulmet kanë prekur edhe portet e Arabisë Saudite në Detin e Kuq, duke dëshmuar aftësinë e Iranit për të bllokuar rrugët strategjike si Ngushtica e Hormuzit dhe për të goditur asetet më të vlefshme energjetike pavarësisht mbrojtjes ajrore.

Ndërkohë që Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, pohon se objektivat e luftës mbeten sipas planit, liderët e Britanisë, Gjermanisë, Francës, Italisë dhe Holandës kanë bërë thirrje të përbashkët për ndalimin e sulmeve mbi infrastrukturën civile dhe janë zotuar të punojnë me vendet prodhuese për të rritur prodhimin e naftës.

Kjo krizë ka pezulluar edhe planet për uljen e normave të interesit nga Banka Qendrore Evropiane, pasi inflacioni i parashikuar për vitin 2026 ka pësuar rritje, gjë që nënkupton kosto më të larta të jetesës dhe vështirësi në tregun e kredive.

Derisa bursa evropiane dhe ato aziatike po shënojnë rënie të theksuara, Irani ka deklaruar se sulmet mbi infrastrukturën e tyre kanë hapur një “faze të re të luftës”, duke vënë në shënjestër drejtpërdrejt interesat energjetike të lidhura me Shtetet e Bashkuara. /Reuters/

Exit mobile version