Verë e nxehtë për Armando Brojën, me të ardhmen e tij që mbetet në dyshim. Sulmuesi shqiptar po përballet me një periudhë të pasigurtë pasi Chelsea ka vendosur ta nxjerrë atë në shitje së bashku me 11 lojtarë të tjerë. Mungesa e hapësirës për Brojën në planet e trajnerit ka tërhequr vëmendjen e disa klubeve të mëdha europiane, sidomos në Premierligë.
Evertoni, ekipi nga Liverpooli, ka ndërmarrë një hap të rëndësishëm për të siguruar shërbimet e Brojës. Ata kanë paraqitur një ofertë zyrtare për Chelsea, duke ofruar 27 milionë funte (rreth 32 milionë euro) për transferimin e sulmuesit të kombëtares shqiptare.
Chelsea tani është duke shqyrtuar këtë ofertë. Sipas raportimeve nga mediat angleze, klubi londinez ka gjasa të mëdha ta pranojë ofertën, pasi këto fonde mund të përdoren për blerjen e një sulmuesi tjetër që mund të përmbushë nevojat e ekipit për sezonin e ri.
Përveç Evertonit, edhe disa klube të tjera janë në garë për Brojën. Southampton, Ipswich dhe West Ham United janë gjithashtu të interesuar për shërbimet e tij. Në Itali, Milani ka shprehur gjithashtu interesim për sulmuesin shqiptar, duke e parë atë si një opsion të vlefshëm për të kompletuar repartin e sulmit pas transferimit të Alvaro Moratas.
Kështu, Armando Broja ka një mundësi të mirë për të ndryshuar ambient dhe për të vazhduar karrierën e tij në një nga ligat më të forta evropiane, me Evertonin që aktualisht është lider në përpjekjet për ta siguruar atë në këtë verë të nxehtë transferimesh./UBTNews/