Organizatorët e Eurovision 2026 kanë publikuar renditjen zyrtare të paraqitjes për dy gjysmëfinalet që do të zhvillohen në Vjenë, Austri.
Sipas njoftimit, gjysmëfinalja e parë do të mbahet më 12 maj, gjysmëfinalja e dytë më 14 maj, ndërsa finalja e madhe është planifikuar më 16 maj 2026.
Shqipëria do të performojë në Gjysmëfinalen e dytë, në pozicionin e 13-të, e përfaqësuar nga këngëtarja Alis me këngën “Nân”.
Një nga risitë e këtij edicioni është rikthimi i jurive profesionale edhe në gjysmëfinale, krahas votimit të publikut, një praktikë që nuk aplikohej në këtë fazë që nga viti 2022. Në dy netët gjysmëfinale do të performojnë edhe vendet e mëdha të njohura si pesëshja e madhe – Franca, Gjermania, Italia dhe Mbretëria e Bashkuar – si dhe Austria si vend pritës.
Këto shtete kualifikohen automatikisht në finale, por do të ngjiten në skenë edhe gjatë gjysmëfinaleve. Publikimi i renditjes së performancave pritet të ndikojë në dinamikën e garës dhe interesimin e publikut, ndërsa Eurovisioni po afrohet drejt një tjetër edicioni të shumëpritur në skenën evropiane të muzikës.
