Futbollisti i Kombëtares Shqiptare, Mirlind Daku, ka kërkuar ndjesë publikisht pas ndeshjes së Shqipërisë kundër Kroacisë në EURO 2024. Në një postim në rrjetet sociale, ai shprehu falenderime për mbështetësit e kombëtares dhe pranoi se emocionet e lojës mund të çojnë në veprime të pamenduara.
Daku theksoi rëndësinë e faljes dhe e cilësoi atë si një veprim burrëror dhe të domosdoshëm për të gjithë ata që janë ndjerë të fyer nga sjellja e tij pas ndeshjes. Ai përmendi që emocionet e forta dhe tensionet e lojës e kanë ndikuar atë në ato momente.
Ngjarja në fjalë ndodhi pas përfundimit të ndeshjes, kur Daku mori megafonin dhe iu bashkua thirrjeve të tifozëve në shkallët e stadiumit, çka solli reagime negative, përfshirë edhe një reagim nga Federata e Futbollit të Maqedonisë së Veriut.
Daku premtoi se do të vazhdojë të punojë me përkushtim së bashku me skuadrën për të realizuar ëndrrat e tyre në fushën e lojës dhe për të përfaqësuar me dinjitet Kombëtaren dhe tifozët e saj.
“Përshëndetje të gjithëve. Së pari dua të jem falënderues ndaj të gjithë atyre që na kanë përkrahur në momentet e mira dhe të vështira në Euro 2024.
Si çdo futbollist, në ato momente emocionet janë në një nivel tjetër, ku vetëm brenda fushës mund të kuptohen, është e vështirë të përshkruash ndjenjën e të luajturit për këtë Kombëtare, për këta tifozë të mrekullueshëm që na japin dashni pa kufi, ashtu siç është dhe moto jonë, “Shqipëri dashni pa kufi”.
Ndjesë nëse kam fyer dikë pas ndeshjes me Kroacinë, efekti i lojës e bën të vetën, unë vazhdoj të punoj së bashku me gjithë grupin rreth ëndrrave tona. Falja është burrërore, dhe e ndjej obligim moral dhe profesional ta bëj një gjë të tillë, për gjithë ata që janë lënduar. Me respekt, Mirlind Daku”, shkruan Daku.