Rrethi i dytë i fazës së grupeve të Kampionatit Evropian Euro 2020 vazhdon sot edhe me tri ndeshje mjaft interesante dhe madje të paparashikueshme.
Duke nisur nga ora 15:00, “Arena Naționala” në Bukuresht përballen Ukraina dhe Maqedonia e Veriut, ndeshje kjo e vlefshme për Grupin C. Të dy këto ekipe kanë pësuar humbje në ndeshjet e tyre të para, ndaj Holandës respektivisht Austrisë, dhe rrjedhimisht nuk kanë asnjë pikë deri më tani.
Në kuadër të Grupit B nga ora 18:00, Belgjika do të ballafaqohet me Danimarkën, ndeshje kjo e cila zhvillohet në “Parken Stadium” në Kopenhagë. Belgjika e kryeson këtë grup me tri pikë, kurse Danimarka është e fundit me zero pikë.
Belgët synojnë të konfirmojnë veten si favorit për Evropianin, ndërsa Danimarka kërkon të marrë pikët e para këtë kampionat pas humbjes ndaj Finlandës në ndeshjen e parë e cila ishte një dramë e vërtetë për shkak të situatës së Eriksen.
Ndeshja e fundit e ditës së sotme do të zhvillohet në “Johan Cruijff Arena” në Amsterdam ku ballafaqohen Holanda dhe Austria të cilat bëjnë pjesë në Grupin C. Të dy këto kombëtare vijnë nga suksesi në ndeshjet e para ndaj Ukrainës dhe Maqedonisë së Veriut dhe kryesojnë grupin me nga 3 pikë secila.