UBT News

EULEX mbështet fuqishëm Supremen për ndërhyrjet në pavarësinë e gjyqësorit

Kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Fejzullah Rexhepi ka pritur në takim shefin e misionit të EULEX-it në Kosovë, Giovanni Pietro Barbano, me të cilin ka diskutuar lidhur me gjendjen e fundit në vend, të krijuar si pasojë e përpjekjeve për ndërhyrje në pavarësinë e gjyqësorit nga pushteti ekzekutiv.

Kryetari Rexhepi theksoi vendosmërinë e Gjykatës që drejton dhe të gjithë sistemit të drejtësisë, për të vazhduar punën, pavarësisht sulmeve e tendencave nga Qeveria në detyrë për të dëmtuar imazhin e gjyqësorit dhe për të penguar funksionimin e pavarur të saj, duke shtuar se institucionet shtetërore janë të obliguara të zbatojnë vendimet gjyqësore, si kusht për funksionimin e shtetit ligjor.

Ndërkaq shefin i EULEX-it, Pietro Barbano, duke dënuar sulmet e fundit, potencoi se e mbështesin fuqishëm Gjykatën Supreme derisa sulmet e Qeverisë në detyrë i cilësoi të papranueshme.

Sipas tij, etiketimi dhe atakimi i gjyqtarëve me emra, duke i vendosur ata në rrezik nga ndonjë sulm i mundshëm, është i pa-tolerueshëm dhe i papranueshëm.

Kreu i Supremes e vlerësoi mbështetjen e EULEX dhe të Zyrës së BE-së në Kosovë, duke potencuar se kjo situatë me qeverinë,  tregon dy anë të medaljes, pjesën që gjyqësori është i pavarur dhe anën tjetër të medaljes që qeveria nuk ka arritur deri në atë shkallë të demokracisë, sa t’i pres në paqe vendimet e gjyqësorit./Telegrafi

Exit mobile version