Samuel Eto’o pretendon se ikona e Arsenalit dhe ish-bashkëlojtari i tij te Barcelona, Thierry Henry nuk ishte në nivelin e tij si lojtar.
Henry cilësohet nga shumë tifozë si njëri nga lojtarët më të mirë të gjitha kohërave që ka luajtur në Premier Ligë.
Francezi kishte shënuar 228 gola në 376 ndeshje për Arsenalin, duke fituar dy tituj të Premier Ligës dhe dy herë FA Cup.
Më pas, Henry u largua nga Arsenali për t’iu bashkuar Barcelonës në vitin 2007, ku bashkëlojtar ishte me Eto’on.
Asokohe, Eto’o ishte njëri nga yjet më të mëdhenj në “Camp Nou”.
Së bashku ata kishin sukses tejet të madh nën urdhrat e Pep Guardiolas në sezonin 2008/09, ndërsa më pas Eto’o u largua nga Barcelona drejt Interit.
Tani, Eto’o pretendon se ai ishte lojtar më i mirë se Henry, dhe ka insistuar se sulmuesi francez nuk ka qenë aq i mirë sa bashkëkombësi i tij, Nicholas Anelka.
“Unë nuk mendoj se ai ishte në nivelin e Anelkas. Titi (Henry) ishte i mirë, por unë preferoja lojtarë të tjerë. Në çdo rast ai nuk ishte në nivelin tim”, tha Eto’o.