Edicioni i 16-të i Etno Fest ka nisur mbrëmjen e së dielës me një program të pasur artistik, duke e vendosur në qendër temën “Kujtesa”, si një ftesë për të ruajtur trashëgiminë kulturore dhe identitetin kolektiv.
Ceremonia e hapjes mblodhi artistë, dashamirës të artit dhe vizitorë të shumtë, ndërsa festivali u çel me fjalën përshëndetëse të drejtorit, Fadil Hysaj, i cili falënderoi artistët, partnerët dhe publikun për mbështetjen ndër vite. Të pranishëm në hapje ishin edhe ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, si dhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.
Programi nisi me një ekspozitë shumëdimensionale që bashkoi skulpturën, pikturën, fotografinë, mozaikun, muralin dhe instalacionet artistike. Punimet e artistëve trajtuan kujtesën, identitetin dhe përvojat historike, duke sjellë para publikut një rrëfim të pasur përmes artit pamor.
Mbrëmja vazhdoi me interpretimin pianistik të Lule Elezit, ndërsa një nga momentet kulmore ishte performanca antropologjike “MYSAFIRI”, me tekst dhe regji të Fadil Hysajt, muzikë nga Memli Kelmendi dhe interpretim nga aktorët Shpëtim Selmani, Sheqerie Buçaj dhe Shpejtim Kastrati. Shfaqja u pasurua me elemente të traditës shqiptare, përfshirë tingujt e lahutës, tepsisë dhe simbolikën e nuses ilire.
Atmosfera artistike vijoi me interpretimin e kavallistit Vendim Kapaj, i cili solli kolonën zanore të filmit The Odyssey, si dhe me performancën e mysafirëve nga Italia, Soloists of GOB (Ocarina Duo & Piano), të cilët interpretuan vepra të kompozitorëve të njohur ndërkombëtarë dhe melodi tradicionale italiane.
Nata e parë e festivalit u mbyll me koncertin e Edona Reshitajt dhe bendit të saj në “Etno Nejë”, duke përmbyllur një mbrëmje të mbushur me muzikë, art dhe reflektim mbi rëndësinë e kujtesës si pjesë e identitetit kulturor./A.K/
