Në kuadër të Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, në UBT është mbajtur një forum i nivelit të lartë, i cili mblodhi së bashku personalitete të njohura të gazetarisë, komunikimit dhe rregullatorëve mediatikë, për të trajtuar temën shumë të ndjeshme dhe aktuale të etikës në media.
Të pranishëm në këtë aktivitet ishin: Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, Kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive në Shqipëri, Armela Krasniqi, Kryetari i Komisionit të Pavarur për Media, Besnik Berisha, Dekani i Fakultetit Media dhe Komunikim në UBT, Prof. Dr. Ferid Selimi, Kryeredaktorja e KTV-së dhe Kryetare e Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës, Brikenda Rexhepi, gazetari dhe autori i disa botimeve në fushën e etikës mediatike, Prof. Musa Sabedini, drejtuesit dhe redaktorë të mediave vendore si Muhamet Hajrullahu, Ilir Zylfiu, Shkodran Gajraku, si dhe profesorë e studentë të fushës së komunikimit.
Në fjalën hapëse, Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, theksoi rëndësinë e thellimit të diskutimit për etikën profesionale në gazetari, duke vënë në dukje se kjo çështje nuk është vetëm akademike, por përbën një dimension thelbësor për funksionimin e shoqërisë demokratike:
“Pjesa e etikës është një tematikë që nuk duhet anashkaluar. Janë çështje me interes për t’u diskutuar për të gjithë, dhe uroj që ky forum të shërbejë për konkluzione konkrete që të japim një mesazh të qartë nga ky takim”.
Ai shtoi se në bashkëpunim me ekspertë të fushës janë realizuar disa hulumtime për të analizuar nivelin e etikës në media dhe ndikimin që ajo ka në rritjen e besueshmërisë tek publiku. Duke vlerësuar punën e gazetarëve, Hajrizi ngriti edhe çështjen e stabilitetit financiar, duke thënë se gazetarët nuk paguhen sa duhet dhe kjo ndikon në cilësinë e punës së tyre.
“Gazetaria është profesion fisnik. Por, për ta mbështetur atë, duhet t’u krijojmë kushte të qëndrueshme financiare gazetarëve, që të mos bien pre e ndikimeve negative”, tha ai.
Në këtë diskutim, Dekani i Fakultetit Media dhe Komunikim në UBT, Prof. Dr. Ferid Selimi, tha se etika është një nga shtyllat bazë të formimit profesional të studentëve të komunikimit, dhe UBT është e përkushtuar që përmes kurrikulave moderne dhe trajnimve të përgatit gazetarë të përgjegjshëm.
Rektori Hajrizi vlerësoi kontributin e profesorëve të UBT-së të cilët publikojnë herë pas here libra të rëndësishëm për etikën dhe komunikimin, duke përmendur veçanërisht kontributin e gazetarit dhe profesorit Musa Sabedini, i cili ka mbi 33 vite përvojë dhe ka botuar tri libra, ndërsa së shpejti pritet të publikojë edhe një tjetër që prek temat delikate të etikës mediatike në Kosovë.
Ndërkohë, Armela Krasniqi, Kryetare e AMA-s në Shqipëri, theksoi se edhe pse janë vendosur gjoba ndaj televizioneve, problemi kryesor mbetet edukimi i individëve, sidomos në raport me platformat si TikTok. Ajo tha se janë vërejtur disa shkelje serioze të ligjit dhe mungesë transparence në pronësinë e mediave online.
“Nuk është e lehtë të konkurrosh në një mjedis të tillë mediatik. Ka media që nuk dihet kush janë pronarët e tyre, dhe kjo e bën të vështirë rregullimin. Por, shtypi duhet të jetë i lirë, sepse vetëm një shtyp i lirë krijon qytetarë të shëndetshëm”, tha mes tjerash Krasniqi.
Besnik Berisha, Kryetar i Komisionit të Pavarur për Media, theksoi se liria e shprehjes ka kuptim vetëm kur menaxhohet me vetëkontroll dhe jo me masa ndëshkuese.
“Sfidat për gazetarët rriten kur raportojnë për interesa të mëdha financiare. Media duhet të jetë profesionale dhe objektive, jo shërbëtore e grupeve të interesit. Misioni ynë është të nxisim diversitetin, jo të mbyllim mediat”, u shpreh Berisha.
Prof. Musa Sabedini, gjatë fjalës së tij, tha se mungesa e literaturës ka qenë nxitje për të përfshirë temat e etikës në tekstet që ai ka shkruar, duke u përpjekur të trajtojë ato tema për të cilat të tjerët nuk kanë guxuar të flasin.
“Gazetaria online ka mungesë dokumentimi, mungesë transparence për përmbajtjen dhe kufijtë e saj. Ka gazetarë të mirë, por mungojnë ata që kanë guximin të dalin në terren. Gazetari duhet të jetë në gjendje të përballet me institucionet, me pushtetin, pa frikë. Etika nuk është një ditë në vit, por duhet të jetë pjesë e përditshmërisë sonë”, potencoi Sabedini.
Brikenda Rexhepi, Kryeredaktore në KTV dhe Kryetare e Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës, theksoi se përkundër përpjekjeve për vetërregullim, ka raste kur gazetarët qëllimisht e shkelin etikën për klikime dhe përfitime financiare.
“Media duhet të ketë pronësi të qartë, transparencë financiare dhe profesionalizëm. Një gazetar i mirë duhet të formohet në terren, të dijë të shmangë shkeljen e etikës dhe të ruajë balancën mes lirisë dhe përgjegjësisë. Liria nuk është kur publikohen foto të fëmijëve në kushte të papërshtatshme apo kur promovohen përmbajtje që nxisin vetëvrasje. Kjo është e papranueshme”, vlerësoi Rexhepi.
Kryeredaktori i Telegrafi, Muhamet Hajrullahu, me rreth 25 vite përvojë në media, u shpreh i shqetësuar për renditjen e Kosovës në vendin e 99-të për lirinë e medias. Ai theksoi nevojën për t’u përshtatur me format inovative të gazetarisë dhe rritjen e profesionalizmit.
Safet Zejnullahu theksoi se roli i gazetarit është i pazëvendësueshëm edhe në kohën e inteligjencës artificiale.
“Gazetari duhet të jetë në vendin e ngjarjes, të dijë të bëjë gjithçka – të raportojë, të fotografojë, të analizojë. Redaksitë nuk kanë më luksin të kenë staf të ndarë për gjithçka, por kjo nuk duhet të cenojë cilësinë”, potencoi ai.
Prof. Afërdita Maliqi, gazetare dhe ligjëruese që nga viti 1999, tha se pavarësisht moshës, është e rëndësishme të përqafohen risitë, por pa lënë pas profesionalizmin dhe etikën. Ndërsa, gazetari Shkodran Gajraku, që ka nisur punën në media që nga viti 2008, ndau përvojën e tij, duke theksuar lirinë që ka pasur në raportim, por edhe sfidat, përfshirë kërcënimet e drejtpërdrejta.
Në këtë forum u dha një mesazh i qartë: Etika në gazetari nuk është luks, por domosdoshmëri. Liria e shprehjes dhe përgjegjësia duhet të ecin krah për krah, për një media më të lirë, më të drejtë dhe më profesionale. /UBT News/