UBT News

ESTOFEX vendos Kosovën në nivelin më të lartë të rrezikut për stuhi dhe breshër të madh

Kosova është përfshirë në zonën me nivelin më të lartë të rrezikut (Niveli 3) sipas parashikimit të publikuar nga Qendra Evropiane për Parashikimin e Stuhive (ESTOFEX). Ky alarm paralajmëron mundësinë e motit ekstrem gjatë të martës dhe në orët e para të së mërkurës.

Sipas ESTOFEX-it, niveli 3 është shpallur për pjesë të Italisë, Kroacisë jugore, Bosnjës, Malit të Zi dhe Kosovës, kryesisht për shkak të rrezikut nga breshëri i madh, erërat shkatërruese dhe, në raste të izoluara, tornadot. Meteorologët theksojnë se situata atmosferike mund të sjellë një nga episodet më të fuqishme të motit ekstrem këtë verë në rajon.

Në analizën e tyre thuhet se stuhitë e formuara mbi Detin Adriatik mund të lëvizin drejt Ballkanit dhe të ruajnë intensitetin e tyre edhe mbi territorin e Kosovës, ku aktiviteti mund të vazhdojë deri në orët e vona të natës.

Megjithatë, ekspertët sqarojnë se Niveli 3 nuk do të thotë se çdo zonë do të goditet nga fenomene të rënda, por se kushtet atmosferike janë shumë të favorshme për zhvillimin e stuhive të fuqishme. Qytetarëve u rekomandohet të ndjekin paralajmërimet zyrtare dhe të shmangin qëndrimin në ambiente të hapura gjatë stuhive. /E.A/

 

 

Exit mobile version