UBT News

‘Espressiva Impresione’ ndez Amfiteatrin e ri në Kosova KamerFest 2025

Në kuadër të edicionit të 24-të të Kosova KamerFest 2025, mbrëmë në Amfiteatrin e ri të Bibliotekës Universitare në Prishtinë u zhvillua koncerti i shtatë me titull ‘Espressiva Impresione’, një mbrëmje e mbushur me emocione dhe virtuozitet të lartë interpretues.

Në skenë u ngjit trioja e përbërë nga Leonard Simaku (violinë), Alexander Zyumbrovskiy (violonçel) dhe Veronika Koprivica (piano), e cila ofroi një interpretim të përkryer dhe bashkëpunim të shkëlqyer.

Programi përfshiu vepra të ndërlikuara të repertorit klasik, duke krijuar një udhëtim emocional për publikun. Koncerti nisi me ‘Piano Trio No.1 në d minor, Op.49’ të Felix Mendelssohn, ku lëvizjet Molto allegro agitato, Andante con moto tranquillo, Scherzo dhe Allegro assai appassionato u interpretuan me energji, ndjeshmëri dhe dinamizëm, duke nxjerrë në pah gjallërinë e romantizmit të hershëm.

Kulmi i mbrëmjes u arrit me premierën e veprës shqiptare ‘Moj e bukura More’, kompozuar nga Thomas Simaku posaçërisht për këtë trio.

Pjesa, e frymëzuar nga kënga tradicionale arbëreshe e vitit 1400, u prit me duartrokitje të zjarrta dhe solli një përzierje të autentikës shqiptare me elemente moderne.

Koncerti përfundoi me interpretimin e ‘Piano Trio në G major’ të Claude Debussy, ku tingujt impresionistë u sollën me delikatesë dhe ndjeshmëri, duke lënë një atmosferë të ngrohtë reflektimi dhe entuziazmi tek publiku.

Përndryshe, Kosova KamerFest 2025 përmbyllet sot me koncertin ‘Schostakovich Anniversary’. /A.Z/UBT News/

 

Exit mobile version