UBT News

Escobar: Shqipëria të lërë pas të shkuarën, me PD-në kemi marrëdhënie të mirë

Zëvendësndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Gabriel Escobar, një prej njohësve më të mirë të çështjeve të Ballkanit në Departamentin amerikan të Shtetit, këmbëngul se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të anëtarësohen në BE.

Në një intervistë për gazetën greke “To Vima”, zyrtari i lartë e cilëson anëtarësimin e rajonit në BE si domosdoshmëri për të sjellë siguri dhe stabilitet për të gjithë Evropën.

Kriza e Ukrainës na kujtoi dhe një herë përse SHBA dhe BE kanë nevojë për njëra-tjetrën, tha ai.

Po në të njëjtën intervistë, Escobar komentoi gjithashtu edhe zhvillimet në Partinë Demokratike në Shqipëri. Ai u shpreh qartë se Shqipëria duhet të lërë pas të shkuarën.

“Kemi një marrëdhënie shumë të mirë me Partinë Demokratike. Një demokraci e fortë ka nevojë për një opozitë të fortë. Është e trishtueshme ajo që i ndodhi PD në këtë moment,” tha ai.

Escobar pozicionohet kundër Berishës të cilin e akuzon se po ndjek “një retorikë jashtëzakonisht përçarëse dhe antiamerikane”, e cila “zëvendëson në mënyrë të pabesueshme atë aspekt që shqiptarët lanë pas në të kaluarën, korrupsionin dhe përçarjen”.

“Shpresoj që anëtarët e PD-së dhe populli shqiptar të lënë pas të kaluarën dhe të shikojnë tek e ardhmja. Shpresoj që ajo që ndodhi të mos rikthejë ditët e këqija, kur korrupsioni karakterizonte pikëpamjen e shumë njerëzve në rajon për Shqipërinë” tha Escobar.

Ai shprehu më tej shqetësimet mbi ndikimin që mund të kenë në rajonin e Ballkanit vendet e treta duke pasur këtu parasysh Rusinë dhe Kinën, ndërsa nuk përfshiu këtu Turqinë, për të cilën kujtoi se është anëtare e NATO-s dhe ndihmon në ruajtjen e paqes në Bosnje dhe Hercegovinë./tch

Exit mobile version