Ivan Gvozdenovic ditën e djeshme është larguar nga Skënderbeu. Timonieri serb nuk e kapërdiu dot humbjen me Laçin dhe pas kësaj disfate dha dorëheqjen, e cila u pranua nga korçarët, të cilët ndajnë kështu rrugët mes tyre.
Por në Korçë nuk kanë vonuar dhe kanë gjetur menjëherë zëvendësuesin e Gvozdenovic. Ernest Gjoka merr në dorë “frenat” e “Ujqërve të Dëborës” për pjesën tjetër të kampionatit. Palët kanë arritur marrëveshjen mes tyre dhe ditën e sotme pritet të zyrtarizohet kjo lëvizje, teksa tashmë edhe “Transfermarkt” e konfirmon diçka të tillë.
Kujtojmë se Gjoka në Superiore ka fituar titullin kampion me Kukësin në sezonin 2016-2017, ndërsa ka fituar 2 Kupa Shqipëria, një me Kukësin dhe një tjetër me Flamurtarin. Po me verilindorët ka fituar edhe Superkupën e Shqipërisë, teksa gjithashtu ka fituar edhe një titull me Shkëndijën e Tetovës.