UBT News

Ermonela Jaho në Prishtinë, sonte mbahet edicioni i nëntë i “Ta Zbardhi Ftyrën”

Sopranoja e njohur shqiptare Ermonela Jaho do të jetë figura qendrore e edicionit të nëntë të mbrëmjes artistike “Ta Zbardhi Ftyrën”, organizuar nga gazeta online për art dhe kulturë KultPlus.

Mbrëmja do të mbahet sonte, më 6 tetor, nga ora 20:00, në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare në Prishtinë. Jaho do të shoqërohet nga pianistja e njohur Lule Elezi. <Link url=”https://kultplus.com/ardiane-pajaziti-edicioni-i-nente-i-ta-zbardhi-ftyren-me-sopranon-e-famshme-ermonela-jaho/” title=”Burimi: KultPlus”/>

Programi do të zhvillohet në dy pjesë. Fillimisht, Jaho do të bashkëbisedojë me publikun për rrugëtimin e saj artistik, sfidat dhe sukseset në skenën ndërkombëtare të operës, ndërsa pjesa e dytë do t’i kushtohet performancës së saj.

Në këtë mbrëmje do të prezantohet edhe talentja e re Anna Krasniqi, e cila do të performojë nën përcjelljen e pianistes Lule Elezi.

Drejtoresha e KultPlus, Ardianë Pajaziti, ka thënë se përgatitjet për aktivitetin janë drejt përfundimit dhe se pjesëmarrja e sopranos Jaho përbën një moment të veçantë për këtë edicion.

Gjatë nëntë viteve, në kuadër të “Ta Zbardhi Ftyrën” janë prezantuar artistë të njohur, përfshirë Sislej Xhafën, Imer Kutllovcin, Flaka Gorancin, Erza Muqollin, Gjon’s Tears, Gëzim Myshketën, Elbenita Kajtazin, Enon Pecin dhe Blenard Azizajn.

Mbrëmja organizohet nga KultPlus dhe mbështetet nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit, Ministria e Punëve të Jashtme, Universiteti i Prishtinës, PriBank dhe Radio Televizioni i Kosovës. Aktiviteti do të transmetohet drejtpërdrejt në RTK./A.K/

Exit mobile version