UBT News

Ermonela Jaho nderon Gjakovën me një koncert të veçantë në “Ditët e Nëntorit”

Më 15 nëntor, sopranoja shqiptare me famë botërore Ermonela Jaho do të jetë në Gjakovë, si pjesë e aktivitetit “Ditët e Nëntorit”, të organizuar nga Fondacioni për Gjakovën.

Ajo foli për ndikimin e roleve të saj në jetën personale, si edhe për virtytet dhe dobësitë që, sipas saj, karakterizojnë popullin shqiptar.

Jaho tregoi se pothuajse çdo rol që ka interpretuar e ka ndryshuar si njeri: “Rolet që këndoj janë shumë dramatike — flasin për sakrificë, humbje, braktisje, mall. Dhimbja e personazhit është aq e fortë, sa shpesh zgjedh të largohet nga jeta sepse nuk e përballon më, ose e kundërta, lufton me gjithçka që e rrethon. Në këto role, ti vdes dhe rilind shumë herë,” — tha Jaho.

Kur u pyet për krenarinë dhe gabimet e shqiptarëve, ajo theksoi se të dyja lidhen me vlerat që kanë formuar brezat:

“Mikpritja, dashuria për njëri-tjetrin, këto janë vlerat me të cilat jam rritur. Por fatkeqësisht, po i humbim. Sot është shumë e vështirë të përkrahim njëri-tjetrin, të pranojmë suksesin e tjetrit, sidomos kur është dikush që e njohim. Dhe kjo më dhemb, sepse jemi një popull i vogël me histori të jashtëzakonshme, që i ka dhënë botës shumë në art, kulturë e shkencë. Si është e mundur që nuk arrijmë të bashkohemi?”

Sa i përket pjesëmarrjes në “Ditët e Nëntorit”, sopranoja nuk dha shumë detaje, por emocionet e saj u bënë të dukshme.

“E ndjej si një detyrim shpirtëror të vij, të bashkohemi si një zë, një shpirt. Do të bëjmë një udhëtim shpirtëror përmes veprave botërore që flasin për histori të dhimbshme e të bukura — histori që kanë frymëzuar edhe kompozitorët më të mëdhenj. Do të jetë një mbrëmje ku shpirtrat tanë do të pasqyrohen tek njëri-tjetri, për njerëzit që janë këtu dhe ata që kanë dhënë jetën e tyre. Është një detyrim patriotik dhe shpirtëror — mezi po pres,” — përfundoi Jaho me lot e emocione. /A.Z/UBT News/

Exit mobile version