UBT News

Ermal Hadribeaj do të boksojë për titullin e botës në versionin WBC

Boksieri shqiptar Ermal Hadribeaj do të ketë mundësinë më të madhe të karrierës së tij, pasi më 17 tetor do të duelojë me kampionin amerikan Sebastian Fundora për titullin e botës në kategorinë WBC Super Welterweight.

Lajmi është konfirmuar të enjten, ndërsa Hadribeaj do të hyjë në ring si sfiduesi i detyrueshëm i kampionit. WBC është një nga katër organizatat më prestigjioze të boksit profesionist në botë dhe duelet për titujt e saj konsiderohen kampionate botërore.

Hadribeaj, 32 vjeç, është me origjinë nga Tirana, por jeton dhe zhvillon karrierën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai mbetet i pamposhtur në boksin profesionist, me bilanc prej 23 fitoresh dhe asnjë humbjeje.

Të drejtën për të sfiduar Fundorën e siguroi më 23 maj, kur në Oberhausen të Gjermanisë mposhti francezin Bakary Samake dhe fitoi titullin WBC Silver Super Welterweight, duke u bërë sfiduesi zyrtar për titullin botëror.

Në anën tjetër, Sebastian Fundora, 28 vjeç, nga Shtetet e Bashkuara, është kampioni aktual i kategorisë. Ai ka zhvilluar 25 duele në boksin profesionist, duke regjistruar 24 fitore dhe vetëm një humbje.

Organizatorët pritet të konfirmojnë në ditët në vijim vendin ku do të zhvillohet meçi i shumëpritur më 17 tetor.

D.L

Exit mobile version