Sipas raporteve në Itali, mesfushori i Interit Christian Eriksen do të kthehet në Milano në javën e dytë të korrikut për t’iu nënshtruar testeve të reja mjekësore.
29-vjeçari pësoi një arrest kardiak gjatë ndeshjes debutuese të Danimarkës në Euro 2020 kundër Finlandës.
Atij iu dha ndihma urgjente në fushë përpara se të dërgohej në spital, ku disa ditë pas incidentit, ai iu nënshtrua një operacioni për të implantuar një defibrilator (pajisje që ndihmon në funksionimin e zemrës.)
Sidoqoftë, karriera e tij në Serie A është në dyshim pasi është e ndaluar të luash me një pajisje të tillë, sipas protokollit të Komitetit Organizativ Kardiologjik për Fitnes Sportiv, i cili u miratua në vitin 2017.
Është e ndalur në Itali që të jesh aktiv në çdo lloj sporti me një pajisje të tillë të implantuar, ndërsa i njëjti rregull nuk është në fuqi në ligat tjera evropiane.
Inter ka nënshkruar me Hakan Calhanoglu si një lojtar i lirë me ish-yllin e Milanit që mund të zëvendësojë Eriksenin.
“Respekti duhet të jetë i madh së pari për njeriun dhe pastaj për futbollistin. Shpresojmë që Eriksen të rikuperojë shëndetin dhe efikasitetin e tij të plotë”, tha drejtori i përgjithshëm i Interit, Beppe Marotta.
“Pas kësaj, ne do të vlerësojmë aspektet sportive që në këtë kohë janë padyshim më pak të rëndësishme”, shtoi ai.
Sipas “Calciomercato.com”, Eriksen do të kthehet në Milano në javën e dytë të korrikut. Është e qartë, ai nuk do të jetë në gjendje të stërvitet, por ai do të takojë shokët e tij të skuadrës dhe do të flasë me trajnerin e ri Simone Inzaghi para se t’i nënshtrohet ekzaminimeve të reja mjekësore, duke shpresuar që defibrilatori i zemrës edhe mund të largohet krejtësisht nga trupi i tij.