Christian Eriksen, gruaja e tij dhe gjashtë ndihmësmjekë që ia shpëtuan jetën, janë ftuar nga UEFA për ta përcjellë ndeshjen finale të Euro 2020 në Wembley, të dielën.
Agjenti i Eriksen, Martin Schoots i tha Sportsmail: “Christian ende e ndjen veten pjesë të këtij grupi. Danimarka është vend i vogël – por lidhja mes lojtarëve është e fuqishme”.
Nuk ka ndonjë konfirmim nëse Eriksen do të jetë në Londër, por gjashtë ndihmësmjekët pranuan ftesën.
Një nga ta, Peder Ersgaard, pranoi se ndihet i privilegjuar që ka marrë ftesën VIP nga Aleksander Ceferin, presidenti i UEFA-s.
“Jam i lumtur, sikurse një fëmijë për festën e Krishtlindjes”, deklaroi ai.
Eriksen pësoi arrest kardiak gjatë ndeshjes debutuese të Danimarkës në Euro 2020 kundër Finlandës. Atij iu dha ndihma urgjente në fushë përpara se të dërgohej në spital, ku disa ditë pas incidentit, ai iu nënshtrua një operacioni për të implantuar një defibrilator (pajisje që ndihmon në funksionimin e zemrës)./UBTNews