Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka deklaruar të mërkurën në hapjen e Samitit të liderëve të NATO-s në Ankara se vendet aleate duhet t’i heqin menjëherë kufizimet e ndërsjella në industrinë e mbrojtjes. Erdogan këmbënguli që Ankaraja zyrtare të përfshihet në nismat mbrojtëse evropiane, duke theksuar se pengesat e tilla dëmtojnë unitetin e aleancës. Turqia, e cila ka ushtrinë e dytë më të madhe në NATO, tashmë është shndërruar në një zhvilluese dhe eksportuese të fuqishme të armatimit.
Ky qëndrim vjen një ditë pasi Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, gjatë një takimi krah Erdoganit, bëri të ditur se do t’i hiqte sanksionet ndaj Turqisë dhe se do të merrte një vendim për shitjen e mundshme të avionëve luftarakë F-35. Kjo lëvizje shënon një kthesë të rëndësishme në bashkëpunimin ushtarak mes Uashingtonit dhe Ankarasë.
Në fjalën e tij, Erdogan shtoi se Turqia është në rrugën e duhur për të arritur objektivin e shpenzimeve të mbrojtjes prej 5% të BPV-së deri në vitin 2030. Për më tepër, ai njoftoi se vendi ka ndarë një buxhet shtesë prej 24 miliardë dollarësh për projektin e mbrojtjes ajrore “Kupola e Çelikut”, i cili do të shërbejë për të forcuar sistemin e mbrojtjes ajrore dhe raketore të të gjithë bllokut të NATO-s. /E.A/
