Presidenti i Turqisë, Recep Tayip Erdogan, në ceremoninë inauguruese të projektit per kanalin e ri të Stambollit, ka thënë se ky projekt do të hap një faqe të re në historinë e zhvillimit të Turqisë.
Erdogan ka thënë se ky kanal është i nevojshëm për sigurinë e Stambollit pasi trafiku në rritje i anijeve po bën që të jetë një nga rrugët detare më të ngarkuara në botë, shkruan TRT World.
Sot numri i anijeve që kalojnë çdo vit nëpër ngushticën e Bosforit nga viti 1930 është rritur nga 3 mijë në 45 mijë. Ndërsa, parashikohet që në vitin 2050 të udhëtojnë deri në 78 mijë anije. Erdogan ka promovuar projektin, duke ofruar një rrugë alternative që lidh Detin e Marmarasë me Detin e Zi.
“Ne e konsiderojmë “Kanal Istanbul” një projekt për të shpëtuar të ardhmen e Stambollit”, ka thënë ai.
Kanali që do të ndërtohet në anën evropiane të metropolit turk do të jetë rreth 45 kilometra i gjatë, 275 metra i gjerë dhe 20,75 metra i thellë. Pas një procesi tenderimi, projekti pritet të përfundojë në gjashtë vjet, me rreth një vit e gjysmë punë përgatitore dhe pesë vjet e gjysmë të ndërtimit, ku do të ndërtohen gjashtë ura.
Mega-projekti, i destinuar për të parandaluar rreziqet e paraqitura nga anijet që transportojnë dërgesa të rrezikshme përmes ngushticës së Bosforit, u miratua nga Ministria e Mjedisit dhe Urbanizimit të vendit.