Letërsia shqipe është pasuruar me një zë të ri, të ndjeshëm dhe të guximshëm.
Erblina Luma ka promovuar librin e parë me poezi, “Vajza e Diellit”, një përmbledhje me 78 krijime, të ndara në dy pjesë me nga pesë kapituj secila.
Në to, autorja trajton tema universale që prekin thelbin e ekzistencës – lindjen, vdekjen dhe ringjalljen.
Gjatë promovimit, Luma ndau me publikun përjetimet e saj personale dhe simbolikën që e udhëheq veprën.
“‘Vajza e Diellit’ për mua ka një rëndësi të veçantë. Është një libër me shumë shenja autobiografike. Ai hapet me një thënie që përkufizon mënyrën si e shoh jetën dhe rrugëtimin tim. Pas saj vjen një poezi – një ode për një vegim. Libri ndahet në dy pjesë me dhjetë kapituj gjithsej; pesë prej tyre janë më ndërpersonale… Mendoj se arti, kudo që ndodhet, na frymëzon të gjithëve. Nëse merrni diçka prej këtij libri, uroj të jetë frymëzim,” – u shpreh autorja.
Në këtë ngjarje kulturore, një emocion të veçantë ndau edhe Muzafer Luma, babai i autores, i cili falënderoi të pranishmit për mbështetjen dhe përkrahjen ndaj vajzës së tij dhe krijimtarisë së saj poetike.
Në promovimin e librit të saj, Erblina Luma falënderoi të gjithë: “Ju falënderoj nga zemra për kohën që keni ndarë dhe për përkushtimin që keni treguar për të qenë pjesë e kësaj ngjarjeje të veçantë për familjen tonë, por edhe më gjerë, sepse çdo vepër arti dhe çdo talent në letërsi është një vlerë dhe pasuri për shoqërinë.”
Recensenti i librit, Hashim Baftijari, e përshkroi veprën si një nisje të fuqishme poetike: “Ajo që më pëlqen tek Erblina është qartësia dhe siguria në ligjërimin poetik. Vëllimi ‘Vajza e Diellit’ është më shumë se një përmbledhje poezish; është një aventurë shpirtërore, e ndërmarrë me vetëdije dhe guxim. Poezitë lidhin procesin e lindjes dhe të vdekjes, duke udhëtuar si feniks drejt pajtimit me përjetësinë.”
Fjalën e rastit e mbajti edhe Bardhyl Kabashaj, zëvendësdrejtor i Gjimnazit “Xhevdet Doda”, i cili shprehu krenarinë për suksesin e nxënëses së shkollës: “Nxënësit tanë, që na përfaqësojnë me rezultate dhe vlera, na bëjnë të ndihemi krenarë për punën dhe angazhimin e tyre.”
Kujtim Lepaja, përfaqësues i shtëpisë botuese “Dija”, tha se ndihen krenarë që mund ta sjellin këtë libër tek lexuesit: “Ky libër është një udhëtim i bukur. Që nga viti 1990 kemi botuar kryesisht klasikët dhe rilindësit, por tashmë po i japim hapësirë talentëve të rinj që duan të dëgjohen. Erblina përjeton bukurinë, dhimbjen dhe misterin e jetës, dhe si botues ndihemi krenarë që mund t’ua japim lexuesve këtë përvojë.”
Përndryshe, libri “Vajza e Diellit” shfaqet si një pasqyrë shpirtërore, që fton lexuesin të udhëtojë mes dhimbjes dhe shpresës, duke parë jetën si një rrugëtim drejt dritës dhe kuptimit të saj. /A.Z/UBT News/