Ëndrrat që shohim në gjumë janë rezultat i një procesi që kombinon shpesh fragmente të përvojave të shumta të jetës, dhe që parashikon ngjarje të ardhshme. Në këtë përfundim ka arritur një studim më i fundit mbi to.
Rezultatet e studimit në fjalë, tregojnë se 53.5 për qind e ëndrrave kishin të bënin me kujtimet e personit që i sheh ato, dhe gati 50 për qind e raporteve me një burim kujtesën, ishin të lidhura me përvoja të shumta të së kaluarës.
Po ashtu, studimi zbuloi se 25.7 për qind e ëndrrave, kishin të bënin me ngjarje specifike të afërta, dhe 37.4 për qind të ëndrrave me një burim të ardhshëm ngjarjesh, gjithashtu kishin të bënin me një ose më shumë kujtime specifike të përvojave të kaluara.
Në studim u vure se ëndrrat e orientuara drejt së ardhmes, u bënë proporcionalisht më të zakonshme më vonë gjatë natës.“Njerëzit janë përpjekur shumë për mijëra vjet që të gjejnë kuptimin që kanë ëndrrat”- tha studiuesja kryesore Erin Uomsli, që ka një doktoraturë në neuroshkencën njohëse dhe është profesore e asociuar në Departamentin e Psikologjisë dhe programit të Neuroshkencë në Universitetin Furman në Karolinën e Jugut, SHBA.
“Me këtë studim ne paraqesim prova të reja, se ëndrrat pasqyrojnë një funksion të përpunimit të kujtesës. Edhe pse prej kohësh ëndrrat përfshijnë fragmente të përvojës së kaluar, të dhënat tona sugjerojnë se ëndrrat parashikojnë gjithashtu ngjarje të mundshme në të ardhmen”- thekson ajo.
Studimi përfshiu 48 studentë që e kaluan natën në laborator për vlerësimin e gjumit brenda natës, duke përdorur polisomnografinë. Gjatë natës, pjesëmarrësit u zgjuan deri në 13 herë,për të raportuar mbi përvojat e tyre gjatë fillimit të gjumit, gjumit REM dhe gjumit jo–REM. Mëngjesin e ditës tjetër, pjesëmarrësit identifikuan dhe përshkruan burimet e jetës reale për secilën ëndërr të raportuar mbrëmjen e mëparshme. Në total u analizuan 481 raport mbi ëndrrat.
“Ky është një përshkrim i ri se si ëndrrat frymëzohen nga burime të shumta të jetës reale, duke përdorur fragmente të përvojës së kaluar, për të ndërtuar skenarë të rinj që parashikojnë ngjarjet e ardhshme”- shprehet Uomsli.
Sipas studiueses, rritja proporcionale e ëndrrave të orientuara drejt së ardhmes,gjatë pjesës së mëvonshme të gjumit, mund të diktohet nga afërsia kohore me ngjarjet e ardhshme. Ndërsa këto ëndrra përshkruajnë rrallë në realitet ngjarjet e ardhshme, aktivizimi dhe ri–kombinimi i fragmenteve të kujtesës që lidhen me të ardhmen mund të shërbejë si një funksion adaptues. / bota.al