Vitali Kutuzov ka dhënë një pasqyrë të viteve të hershme të ish-bashkëlojtarit të tij, Cristiano Ronaldo, në Sporting CP.
Lojtari i pensionuar bjellorus ka folur për dëshirën e Ronaldos për të qenë më i miri, e cila u shfaq edhe si 17-vjeçar.
“Ne ishim dy fëmijë në një ekip kampionësh që i kishte fituar të gjitha. Ai ishte 17-vjeçar dhe unë 21. Ai më pyeti për Milanin dhe se si ishte të stërvitesh me lojtarë të atij kalibri”, i tha Kutuzov Gianluca Di Marzios.
Kutusov vazhdoi të tregojë se si ka ndryshuar loja e Ronaldos që nga ajo kohë.
“Ai gjithmonë ka dashur të përfundojë aksionet, edhe pse tani ai është një lojtar ndryshe. Në atë kohë ai ishte më shumë një driblues, sot ai është i kompletuar dhe kontribuon në çdo kuptim”, deklaroi ai tutje.
Dyshja gëzonin një marrëdhënie të ngushtë dhe Kutuzov kujtoi kohën kur Ronaldo ishte i emocionuar kur erdhi në stërvitje me makinën e tij të parë.
“Ne kemi ndarë dhomën shumë herë. Më kujtohet kur bleu makinën e tij të parë, një Mercedes që nuk dinte as ta ngiste. Por kënaqësia e tij kur mbërriti në stërvitje me një makinë që kishte blerë ishte e pabesueshme”, tregoi Kutuzov.