Federata e Futbollit e Kosovës së bashku me sponsorin e Superligës, Albi Mall, pas çdo xhiroje do të shpallin “Yllin e Javës”, këtë javë ky çmim i takoi Endrit Krasniqit.
Vlerësimi për futbollistin më të mirë të javës së katërt është bërë nga komisioni në përbërje: Arben Zeqiri nga KFV Gjilani, Fatmir Mehmeti nga KFV Drita dhe Rifat Nasufi nga KFV KEK-u.
Komisioni vlerësoi se Endrit Krasniqi me lojën e shfaqur kundër Llapit ishte më i merituar për fitoren e Prishtinës , me rezultat 2:1 në “Zahir Pajaziti”. Ai fillimisht nxori penallti në minutën e 13-të, të cilën në gol e shndërroi Kreshnik Uka, derisa më pas në minutën e 58-të shënoi golin që e vulosi fitoren e bardhekaltërve.
Endrit Krasniqi këtë çmim ia ka dedikuar krejt ekipit. “Besoj që ky çmim është meritë e gjithë skuadrës, por natyrisht edhe e imja. Si unë personalisht, ashtu edhe i gjithë ekipi patëm paraqitje shumë të mirë në ndeshjen me Llapin, por në të njëjtin nivel kemi luajtur edhe në të ndeshjet e deritanishme. Mendoj që në Prishtinë është duke u bërë një organizim shumë i mirë dhe kjo na jep shpresë që të vazhdojmë të punojmë me përkushtim dhe t’i marrim ndeshjet një nga një”, ka theksuar Krasniqi pas marrjes së këtij çmimi.