Paul Pogba duhet të tregojë veten dhe atë se çfarë mund të bëjë për Manchester United, ku është duke iu afruar fundit të kontratës së tij me “Djajtë e Kuq”.
Pogba pritet të rikthehet në aksion me Unitedin në ndeshjen e sotme në kuadër të raundit të tretë të FA Cup kundër Middlesbrough, pas tre muajve që ka munguar për shkak të një lëndimi në kofshë.
Mesfushori francez ka edhe katër muaj të mbetur në kontratën e tij me Manchesterin, ku veçse janë duke qarkulluar spekulimet se ai dëshiron një aventurë të re pasi që të përfundoj sezoni aktual.
Pavarësisht dëshirës se ku dëshiron të vazhdojë karrierën e tij, trajneri i United Rangnick ka kërkuar nga Pogba që të jetë 100% i motivuar nëse dëshiron që të gjej formën e tij më të mirë.
“Tani është në duart e tij. Kontrata e tij është drejt përfundimit këtë verë, dhe nëse ai dëshiron të qëndrojë ose të largohet diku tjetër, ai duhet të tregojë veten”, tha Rangnick.
“Nuk është vetëm interesi jonë si klub, por është edhe në interesin e tij personal, që të tregojë paraqitje të nivelit më të lartë gjatë javëve në vazhdim”, shtoi trajneri gjerman.
Paul Pogba mbetet blerja më e shtrenjtë e Manchester United, ku iu ishte ribashkuar këtyre të fundit nga Juventusi në vitin 2016 për një shumë afro 105 milionë eurosh.
Gjatë kësaj periudhe, Pogba ka arritur të bëjë 212 paraqitje me United, duke regjistruar 38 gola dhe 45 asistime mbi emrin e tij.