Në Akademinë e Shkencave janë mbajtur takime intensive të redaksive të “Enciklopedisë shqiptare”. Këto takime kanë qenë të organizuara sipas disiplinave në dy qytete, Tiranë dhe Prishtinë.
Përveç anëtarëve të redaksive të Tiranës, në këto takime kanë marrë pjesë edhe anëtarë të redaksive nga Prishtina. Qëllimi kryesor i këtyre takimeve është të shmangen përsëritjet dhe të arrihet në një fjalës themelorë të integruar për “Enciklopedinë shqiptare” deri më 25 maj. Edhe pse organizimi i redaksive është i ndarë, synohet që ajo të jetë një vepër unike, me një listë të përbashkët të njësive enciklopedike, shkruan Agjencia Telegrafike Shqiptare.
Për të arritur këtë qëllim, është propozuar një fjalës i përbashkët, që lejon zbatimin e kufijve dhe pragjeve të përbashkët gjatë procesit të punës, pa ndikuar në parimin e territorialitetit.
Fjalësi i integruar do të përfshijë edhe listën e njësive enciklopedike të propozuara nga redaksia e trashëgimisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut, duke krijuar kështu një përfytyrim të plotë mbi përmbajtjen dhe raportet mes tyre.
Në përfundim, lista e integruar do të përbëhet prej jo më shumë se 10 mijë artikujsh, duke u përqendruar në thellimin e përmbajtjes dhe përzgjedhjen e saj për të reflektuar nevojat dhe interesat e lexuesve. Procesi i takimeve dhe diskutimeve midis redaksive do të vazhdojë deri më 25 maj 2024, ndërsa në muajin qershor do të kalojë nga fjalësi i integruar në fjalësin e stabilizuar./UBTNews/