Sulmuesi kosovar, Emir Sahiti, nuk po gjen hapësirë te skuadra gjermane e Hamburgut, pasi në dy ndeshjet e fundit të Bundesligës ndaj Heidenheim dhe Union Berlin nuk është përfshirë as në listën e të ftuarve.
Edhe në përballjen kundër Bayern Munichut, 25-vjeçari ishte vetëm në stol, pa marrë minuta në fushë.
Shkak për këtë situatë duket të jetë forma jo e mirë e lojtarit, gjë që e konfirmoi edhe trajneri Merlin Polzin, i cili i ka kërkuar Sahitit përmirësim në disa aspekte të lojës.
“I kam shpjeguar Emirit se në cilat pozita duhet të përmirësohet. Finalizimi dhe përfundimi i aksioneve janë segmentet ku ai ka më shumë nevojë të punojë. Situata në skuadër nuk është e lehtë për shkak të konkurrencës së madhe, por ai ka po aq shanse sa të gjithë të tjerët për të fituar një vend në ekip”, tha Polzin.
Mbetet të shihet nëse Sahiti do të arrijë ta bindë trajnerin gjatë stërvitjeve të kësaj jave, në mënyrë që të jetë pjesë e skuadrës për ndeshjen e radhës, ku Hamburgu pret në shtëpi Mainz 05. /A.Z/UBT News/