UBT News

Emily Ibanez shkëlqen në Botërorin e të rriturve, zë vendin e pestë dhe vendos shtatë rekorde botërore për të reja

Peshëngritësja 15-vjeçare që përfaqëson Kosovën, Emily Ibanez, ka regjistruar një rezultat të jashtëzakonshëm në Kampionatin Botëror të Peshëngritjes për të rritur, që po mbahet në Kinë.

Ibanez u rendit në vendin e pestë në dygarësh, në kategorinë deri në 69 kilogramë, duke ngritur gjithsej 240 kilogramë. Ajo ishte garuesja më e re në këtë kampionat.

Para saj përfunduan vetëm dy peshëngritëse nga Koreja e Veriut, një nga Kolumbia dhe një nga Bjellorusia.

Peshëngritësja kosovare garoi në Grupin B, që është grupi i dytë më i fortë, dhe jo në mesin e garueseve më të mira të Grupit A.

Në disiplinën e shkëputjes, Ibanez u rendit e teta me rezultatin më të mirë prej 106 kilogramësh, ndërsa në shtytje përfundoi e gjashta, me 134 kilogramë.

Përveç rezultatit të përgjithshëm, 15-vjeçarja vendosi edhe shtatë rekorde botërore për të reja brenda një dite. Ajo arriti rekorde në shkëputje, shtytje dhe në total, në kategorinë deri në 69 kilogramë. Këto rekorde përfshijnë peshëngritëset e moshës 13 deri në 17 vjeç.

Medaljen e artë në këtë kategori e fitoi Song Kuk-hyang nga Koreja e Veriut, me gjithsej 275 kilogramë në dygarësh. Ajo vendosi tri rekorde botërore: 122 kilogramë në shkëputje, 153 në shtytje dhe 275 në total.

Emily Ibanez ka lindur në Spanjë dhe për shumë vite ka jetuar në Kanada. Ajo vjen nga një familje e peshëngritësve, ndërsa babai i saj është nga Kuba. Prej këtij viti, Emily dhe vëllai i saj, Brayan Ibanez, përfaqësojnë Kosovën.

Së fundmi, ajo kishte fituar tri medalje të arta në Kampionatin Evropian për juniorë dhe U23.

Ndërkohë, Brayan Ibanez ishte paraparë të garonte të hënën në Botëror, por u tërhoq për shkak të një sëmundjeje.

Të mërkurën, në garë për Kosovën do të paraqitet edhe Kianoush Rostami, i cili përfaqëson vendin tonë që nga viti i kaluar.

Kampionati Botëror në Ningbo të Kinës ka nisur më 27 tetor, ndërsa deri më tani në renditjen e medaljeve dominon Koreja e Jugut, me gjashtë të arta, tri të argjendta dhe tri të bronzta.

D.L

Exit mobile version