UBT News

Emery rikthehet në Barcelonë pas nëntë vitesh, Aston Villa synon vazhdimin e serisë në Champions

Unai Emery do të rikthehet këtë javë në Barcelonë, për herë të parë në Ligën e Kampionëve, që nga humbja historike e PSG-së ndaj Barcelonës në vitin 2017, në një nga përmbysjet më të mëdha në historinë e futbollit evropian.

Të martën, nga ora 21:00, Aston Villa e drejtuar nga Emery do të përballet me Barcelonën në “Camp Nou”, në një nga ndeshjet më interesante të xhiros së katërt të Ligës së Kampionëve.

Skuadra angleze po kalon një formë të shkëlqyer në këtë garë dhe aktualisht renditet në pozitën e dytë në tabelën me 36 skuadra, prapa Paris Saint-Germainit.

Pikërisht me PSG-në, Emery kishte përjetuar një nga momentet më të vështira të karrierës së tij në Barcelonë, në mars të vitit 2017.

Skuadra franceze kishte fituar ndeshjen e parë të një të tetës së finales me rezultat 4:0, por Barcelona arriti një përmbysje të jashtëzakonshme, duke fituar 6:1 në ndeshjen e kthimit dhe duke siguruar kualifikimin me rezultat të përgjithshëm 6:5. Kjo përballje mbetet e njohur si “Remontada”.

Që nga ajo kohë, Emery nuk është rikthyer në “Camp Nou” në kuadër të Ligës së Kampionëve, ndërsa këtë herë do të paraqitet me një Aston Villa që po zhvillohet më shpejt se pritshmëritë.

Barcelona, kundërshtarja më e vështirë e Emeryt

Përballja e së martës do të jetë edhe një tjetër kapitull në rivalitetin e gjatë mes Emeryt dhe Barcelonës.

Gjatë karrierës së tij, trajneri spanjoll është përballur 30 herë me katalunasit, ndërsa skuadrat e tij kanë regjistruar vetëm tri fitore.

Dy prej tyre janë veçanërisht të paharrueshme: fitorja 4:0 e PSG-së në vitin 2017 dhe triumfi 2:0 i Villarrealit në “Camp Nou”, në maj të vitit 2022.

Ndërkohë, Aston Villa synon të vazhdojë formën pozitive edhe në këtë edicion të Championsit, ku ka regjistruar fitore radhazi dhe ka realizuar 12 gola. Nicolas Jackson është një prej futbollistëve që po spikat në repartin ofensiv.

Manchester Unitedi kërkon reagim ndaj Romës

Një tjetër përballje interesante e së martës do të zhvillohet në “Old Trafford”, ku Manchester Unitedi do të përballet me Romën.

Skuadra angleze po kalon një periudhë të vështirë, duke u renditur në vendin e 20-të në Ligën e Kampionëve dhe në pozitën e 17-të në Premier League.

Përballja me italianët shihet si një mundësi për reagim, ndërsa Roma nuk ka rezultate të mira në ndeshjet evropiane të zhvilluara në Angli. Skuadra italiane ka fituar vetëm një nga 21 përballjet e tilla.

Kane synon rekordin e Ronaldos

Vëmendje të veçantë do të ketë edhe Harry Kane, i cili synon të barazojë një rekord të Cristiano Ronaldos në Ligën e Kampionëve.

Portugezi mban rekordin për më së shumti ndeshje radhazi me gol në këtë garë, me 11 të tilla, gjatë të cilave realizoi 17 gola.

Sulmuesi anglez i Bayern Munichut është aktualisht në seri prej dhjetë ndeshjesh radhazi me gol në Champions, duke regjistruar 13 realizime.

Të martën, Bayerni do të ketë një sfidë të vështirë në udhëtim ndaj Atletico Madridit, ku Kane do të kërkojë ta vazhdojë ecurinë pozitive. Ai ka luajtur më parë në stadiumin “Metropolitano”, por nuk ka arritur të shënojë.

Ndërkohë, të mërkurën në program janë edhe disa përballje interesante, ku lideri i Premier Leagues, Arsenali, do të luajë në udhëtim ndaj Slavia Pragës, ndërsa Real Madridi do të përballet me AEK-un e Athinës.

Një tjetër ndeshje që pritet me interes është ajo mes Liverpoolit dhe Fenerbahçes, ku anglezët do të kërkojnë fitoren e parë në udhëtim ndaj një skuadre turke në historinë e tyre në Kupën Evropiane dhe Ligën e Kampionëve.

D.L

Exit mobile version