UBT News

Elezi: Të premten mbyllet afati për regjistrimin e votuesve nga diaspora

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi tha se data 23 korrik e deri më 24 gusht, përmes platformës elektronike janë pranuar 26,480 aplikime për regjistrim për votim me postë, dhe afati për regjistrim do të mbyllet këtë të premte, më 29 gusht.

Që nga 23 korriku, në shtatë ditë të javës, nga ora 8 e mëngjesit dhe deri në mesnatë, zyrtarët e shërbimit votues kanë shqyrtuar mijëra aplikime të paraqitura në platformën eletronike të KQZ-së.

“Prej më shumë se një muaji, në shtatë ditë të javës, dhjetëra zyrtarë të shërbimit votues, kanë shqyrtuar aplikimet për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës dhe brenda një kohe të shpejtë kanë kthyer përgjigje për çdo aplikues. Nga data 23 korrik, kur ka filluar procesi i regjistrimit, dhe deri më 24 gusht, përmes platformës elektronike janë pranuar 26,480 aplikime për regjistrim për votim me postë, prej të cilave janë aprovuar 21,291, ndërkaq janë refuzuar 5186. Afati për regjistrim do të mbyllet këtë të premte, më 29 gusht”, tha Elezi.

Gjatë këtyre 33 ditëve, janë regjistruar për votim me postë mbi 21 mijë shtetas të Kosovës.

Sipas KQZ-së, në shumicën e rasteve të refuzuara, aplikuesit nuk kanë paraqitur njërin nga dokumentet që dëshmon adresën e tyre jashtë Kosovës. Po ashtu, sipas KQZ-së, çdo aplikues është njoftuar për arsyet e refuzimit të aplikimit dhe mundësinë e ri-aplikimit, duke plotësuar kushtet e parapara.

Exit mobile version