Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka njoftuar se sot, në orën 23:59 përfundon afati 38 ditor për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës për votim me postë në Zgjedhjet Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale.
Elezi ka shtuar se deri në përfundim të ditës së sotme, shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë vendit mund të aplikojnë për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës përmes platformës elektronike të KQZ-së ose përmes postës duke dërguar aplikimin në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë.
Sipas Elezit, vetëm shtetasit e Kosovës që janë regjistruar për votim nga jashtë vendit do të mund të votojnë përmes postës në periudhën e cila do të fillojë më 17 shtator dhe do të përmbyllet më 11 tetor 2025.
Më tej, ai ka sqaruar se shtetasit e Kosovës që janë regjistruar për votim jashtë vendit, do të largohen nga Lista e Votuesve brenda në Kosovë.