Elena Sadiku po shkruan histori në futbollin suedez. Trajnerja shqiptare është nominuar për çmimin e trajneres më të mirë të vitit në futbollin e femrave, në kuadër të ceremonisë së Topit të Artë.
Lajmi e emocionoi tej mase 32-vjeçaren, e cila e mori vesh nominimin gjatë përgatitjeve me Hackenin për ndeshjen e Kupës ndaj Goteborgut.
Skuadra sapo kishte përfunduar stërvitjen kur ndihmëstrajnerja Matilda Bergstrand e thirri Sadikun. Fillimisht, ajo nuk e kuptoi se për çfarë bëhej fjalë.
“Ajo tha diçka si: ‘Topi i Artë’. Pastaj e pashë foton dhe e pashë fytyrën time aty. Më pas stafi dhe lojtaret erdhën, u hodhën mbi mua dhe u gëzuan”, ka rrëfyer Sadiku për “Sportbladet”.
Kur kuptoi se ishte përfshirë në mesin e pesë kandidateve për trajneren më të mirë të vitit, emocionet e pushtuan.
“Fillova të qaj në dhomën e trajnerëve. Ishte e pabesueshme. Lotët më dolën, por ishte bukur sepse pata mundësinë ta ndaja këtë moment me to. Kjo është një arsye e madhe pse jam nominuar”, tha ajo.
Nominimi vjen pas një viti të jashtëzakonshëm për Sadikun. Ajo udhëhoqi Hackenin drejt trofeut të parë evropian në historinë e klubit, pasi në maj triumfoi ndaj Hammarbyt në finale të Kupës së Evropës.
Para aventurës në Göteborg, Sadiku drejtoi edhe Celticun, me të cilin fitoi titullin e parë në historinë e klubit.
Sadiku është njëra nga pesë kandidatet për çmimin prestigjioz dhe veçon një detaj të veçantë në mesin e të nominuarave.
“Ajo që mendoj se është interesante është se jam e vetmja vajzë. Mendoj se kjo është shumë interesante”, u shpreh ajo.
Megjithatë, ajo që e ka prekur më shumë Sadikun ka qenë reagimi i futbollisteve të saj.
“Nominimi është një gjë, por fakti që vajzat janë kaq të lumtura për mua më bën të emocionohem”, tha trajnerja shqiptare.
Ceremonia e ndarjes së çmimeve të Topit të Artë do të mbahet më 26 tetor në Londër, ku do të mësohet edhe fituesja e çmimit për trajneren më të mirë të vitit.
D.L
