UBT News

Elbasani, qendër e artit me Koloninë e Piktorëve 2025

Elbasani mirëpret edhe këtë vit Koloninë e Piktorëve “Skampis 2025”, një aktivitet që bashkon artistë të njohur nga e gjithë Shqipëria për të përçuar përmes penelit atmosferën, historinë dhe shpirtin e qytetit.

Me tematikën “Elbasani turistik nën gjurmët e penelit”, kolonia synon të promovojë qytetin si një destinacion kulturor dhe artistik, duke evidentuar bukuritë natyrore, monumentet historike dhe karakterin urban të tij.

Në këtë edicion marrin pjesë piktorët: Agron Polovina, Alion Cano, Buron Kaceli, Dashnor Kulolli, Emirjona Stasi Nako, Edi Kojani, Elmal Baboci, Fatmir Dardha, Gazmend Leka, Gazmend Kafa, Helidon Haliti, Sadik Kasa, Nasuf Myftari, Nikolin Ivani, Kudret Durollari, Romeo Kallco, Sefedin Stafa, Vanjgo Vasili, Zaim Elezi dhe Kristjan Zara.

Artistët po realizojnë veprat e tyre në pika të ndryshme të qytetit, nga kalaja dhe rrugicat karakteristike deri tek peizazhet natyrore përreth, duke pasqyruar identitetin unik të Elbasanit.

Ekspozita përmbyllëse do të mbahet sot në mbrëmje në hollin e Teatrit “Skampa”, ku publiku do të ketë mundësinë të shohë të gjitha krijimet e realizuara gjatë kolonisë.

Kolonia e Piktorëve “Skampis 2025” dëshmon përkushtimin e Bashkisë Elbasan për të mbështetur artin dhe kulturën, duke forcuar pozicionin e qytetit si një qendër e rëndësishme kulturore në Shqipëri. /A.Z/UBT News/

Exit mobile version