Qyteti i Elbasanit ka pasur një vend të veçantë në historinë e pavarësisë së Shqipërisë, duke u shndërruar në qytetin e parë që shpalli pavarësinë më 25 nëntor të vitit 1912. Ky akt historik ka ardhur në kuadër të rrethanave të rëndësishme të kohës dhe pas dakordësisë me Ismail Qemalin, duke e bërë Elbasanin pionier të shpalljes së mëvetësisë së shtetit shqiptar.
Në këtë ditë të shënuar, përfaqësuesit e qytetit të Elbasanit, të udhëhequr nga Aqif Pashë Biçakçiu, shpallën me krenari Deklaratën e Pavarësisë, që u bë një akt simbolik i madh për popullin shqiptar. Deklarata e firmosur në atë kohë mbante mesazhe të fuqishme dhe të qarta, duke e bërë të ditur për botën se Shqipëria ishte plotësisht e shkëputur nga Mbretëria turke dhe do të qeverisej e pavarur dhe me drejtësi. Ajo theksonte se çdo qytetar shqiptar dhe i huaj do të kishte të drejtat e plota njerëzore dhe do të jetonte në liri, pa asnjë dallim fetar ose ideologjik.
Në këtë deklaratë, theksohej gjithashtu dëshira e popullit të Elbasanit për të jetuar në harmoni me shtetet fqinj dhe për të kërkuar ndihmën e tyre në krijimin e një qeverie të drejtë dhe të paanshme. Fjala “Rroftë Shqipëria e lirë” përfundonte këtë akt historik, duke i dhënë një ndihmesë të fuqishme luftës për pavarësinë e plotë të Shqipërisë.
Ky moment i rëndësishëm për historinë e Shqipërisë është një kujtim i gjallë i angazhimit dhe sakrificës së popullit shqiptar për lirinë e tij, dhe Elbasani, si qyteti i parë që shpalli pavarësinë, do të mbetet gjithmonë në kujtesën kolektive të shqiptarëve si një simbol i besimit në një të ardhme të lirë dhe të pavarur./UBTNews/