Një shtetas i Kosovës me inicialet K.B., i cili kërkohej me letërreshtim ndërkombëtar përmes INTERPOL-it, është ekstraduar sot nga Zvicra për në Kosovë.
Lajmi është bërë i ditur nga Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor. I dyshuari ishte arrestuar paraprakisht nga autoritetet zvicerane me kërkesë të institucioneve të drejtësisë në Kosovë, pasi akuzohet për veprën penale “Vjedhje e rëndë”.
Sipas njoftimit zyrtar, ekstradimi u realizua në kuadër të bashkëpunimit të ngushtë mes institucioneve të të dyja shteteve. Pas mbërritjes në Kosovë, i dyshuari u është dorëzuar njësiteve përkatëse policore për procedim të mëtejshëm ligjor.
Policia e Kosovës konfirmoi se do të vazhdojë bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë për gjurmimin dhe arrestimin e personave të kërkuar për vepra penale. /E.A/
