UBT News

Ekspozitë në përkujtim të Holokaustit në Lindje të Mesme

Një ekspozitë në përkujtim të Holokaustit do të mbahet për herë të parë në Lindje të Mesme.

“Na përkujton ne se karakteri i pashembullt i Holokaustit do të ketë përgjithmonë kuptim universal”, deklaroi Kathrin Meyer, sekretari i përgjithshëm i Aleancës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit.

Ekspozita “Ne kujtojmë” në Muzeun e Kryqëzimit të Qytetërimeve në Dubai tregon dëshmitë e dorës së parë të mbijetuarve të Holokaustit dhe u hap për publikun muajin e kaluar.

Rabbi Elie Abadie, rabini i vjetër i Këshillit Hebre të Emiratave, thotë se kjo ekspozitë e re e përhershme është jashtëzakonisht e rëndësishme pasiqë asgjë e ngjashme nuk është organizuar ndonjëherë në rajon.

“Ndonëse shumica në Lindje të Mesme e dinë se ku ka ndodhur Holokausti, nuk flasin shumë për të e as nuk mësojnë shumë rreth saj. Tani rajoni po flet hapur për këtë dhe përmes kësaj ekspozite po përkujtojmë çfarë ka ndodhur dhe kjo dëshmon se populli e njeh historinë”, deklaroi ai.

Ai thotë se Holokausti ndodhi gjithashtu në një shkallë më të vogël në vendet e Lindjes së Mesme në vitet 1940, ku hebrenjtë arabë në Libi, Tunizi dhe Irak u persekutuan për shkak të mësimeve të frymëzuara nga nazistët.

Sipas tij, ideologjitë e Hitlerit arritën përtej Evropës dhe se ishte e rëndësishme për ata që jetojnë ose udhëtojnë në këtë rajon të jenë të vetëdijshëm për këtë.

Në këtë ekspozitë shfaqet arti i prodhuar nga civilizime dhe kultura të ndryshme përgjatë shekujve. Misioni është për t’i edukuar dhe për të rritur ndërgjegjësimin për Holokaustin në mesin e 200 kombësive të ndryshme të Dubait.

Ekspozita me një dhomë, e cila qëndron pranë gjashtë galerive të tjera të muzeut, ju çon nëpër ngjarjet që ndodhën deri, gjatë dhe pas Holokaustit, përmes syve të njerëzve që e përjetuan atë.

Nazistët vranë më shumë se gjashtë milionë hebrenj gjatë Holokaustit, së bashku me miliona të tjerë përfshirë personat me nevoja të veçanta, LGBT, disidentët politikë, dhe minoritetet etnike dhe religjioze./UBTNews

Exit mobile version