Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gazetarëve Sportivë, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave ka hapur një ekspozitë me dokumente origjinale, duke sjellë në vëmendje historinë e gazetarisë sportive shqiptare dhe figurat më të njohura të saj ndër vite.
Ekspozita përfshin materiale arkivore të Arkivit Qendror Shtetëror (AQSH), dokumente origjinale dhe periodikë të viteve ’60–’90, të cilat pasqyrojnë ndeshjet më të rëndësishme të kombëtares shqiptare, si dhe zhvillimet kryesore të kampionateve vendase.
Në aktivitet morën pjesë Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave, Auron Rrokaj, gazetari i parë sportiv profesionist në historinë e medias shqiptare, Ahmet Shqarri, si dhe emra të njohur të gazetarisë sportive, ndër ta Moisi Dalipi, Ylli Ago, Dëfrim Methasani, Ervin Baku, Vilma Masha, Glenti Nallbani, Pano Xhixho dhe anëtarja e Komitetit Ekzekutiv të Federatës Shqiptare të Futbollit, Anila Basha.
Drejtori i Arkivave, Auron Rrokaj, vlerësoi kontributin e gazetarëve dhe komentatorëve sportivë në ruajtjen e kujtesës historike kombëtare përmes punës së tyre.
Ndërkaq, Ahmet Shqarri përshëndeti organizimin e ekspozitës, duke theksuar rëndësinë e gazetarisë sportive dhe përkushtimin e gazetarëve ndër breza.
“Ju falënderoj dhe përgëzoj për nismën tuaj, për ekspozitën që nuk e kam parë gjëkundi tjetër. Unë kam punuar mbi 50 vite në gazetarinë sportive dhe ka qenë privilegj. Kam punuar që prej vitit 1969 deri në Kampionatin Botëror të Futbollit në Rusi, duke komentuar një plejadë sportistësh të jashtëzakonshëm”, u shpreh Shqarri.
Mes dokumenteve të ekspozuara ishin korrespondenca mbi organizimin e ndeshjeve mes skuadrave shqiptare dhe italiane në vitin 1940, qarkorja e vitit 1936 për emërimin e korrespondentëve të gazetës “Sporti Shqiptar”, numra të gazetës “Sporti” të ruajtura nga Asdreni, si dhe dokumente të Radiotelevizionit Shqiptar mbi transmetimet ndërkombëtare të ndeshjeve të futbollit./A.K/
