Në një mjedis historik, të ngarkuar me kujtime të pasura dhe ngjarje të paharrueshme, u çel një ekspozitë unike në Godinën e Krahinës Autonome të Korçës, e cila synon të sjellë përpara publikut një periudhë të rëndësishme të historisë së Shqipërisë, pikërisht vitet 1916-1920.
Ky aktivitet u organizua nga Qendra për Hapje dhe Dialog (COD) dhe Këshilli i Qarkut Korçë, dhe mblodhi në mjediset e tij një mori titullarësh të institucioneve të pushtetit lokal dhe intelektualësh të fushave të ndryshme, të cilët u bashkuan për të nderuar kujtimin e kësaj periudhe kyçe për zhvillimet politike dhe shoqërore të vendit.
Ekspozita, e titulluar “Një Faqe Histori”, ofron një pasqyrë të pasur dhe të detajuar të ngjarjeve të kësaj periudhe me mbi 400 eksponate – fotografi, dokumente, dhe harta të koleksionistit të njohur Mirgen Shamblli. Çdo artefakt është një dëshmi e rëndësishme që hedh dritë mbi ndodhitë që shënuan krijimin dhe zhvillimin e Krahinës Autonome të Korçës, një prej momenteve më të rëndësishme të historisë shqiptare.
Vizitorët e kësaj ekspozite, që u hap me një ceremoni solemne, mund të njihemi më mirë me një periudhë që ka luajtur një rol të pazëvendësueshëm në historinë e kombit. Eksponatet e zbuluara janë të pasura me detaje të panjohura dhe pasqyrojnë realitetin e asaj kohe, duke zgjuar kuriozitetin dhe respektin e të gjithë pjesëmarrësve. Ekspozita është një mundësi e shkëlqyer për të pasuruar njohuritë mbi Krahinën Autonome të Korçës, e cila ishte një fazë e rëndësishme e autoktonisë dhe e zhvillimit politik të Shqipërisë.
Një ditë para hapjes së ekspozitës, qyteti i Korçës u shndërrua në një qendër të rëndësishme të historisë dhe traditës me një paradë ngjyrash, ku qytetarët e kësaj krahine shfaqën krenarinë dhe dashurinë për traditat e tyre. Veshjet tradicionale të njerëzve të rajonit ishin një tjetër element i veçantë i ditës, që e shndërruan këtë ngjarje në një festë të kujtimit dhe respektit për historinë. Ky moment historik do të mbetet përherë një kujtim i gjallë për qytetarët e Korçës dhe për ata që e njohin rëndësinë e saj në ndërtimin e shtetit shqiptar./ATSH/