Sot përmbyllet me sukses ekspozita dhe workshop-i i artistes së njohur hungareze, Anna Konya, titulluar “Otthonuk – Our Home”. Ky eveniment artistik u zhvillua në hapësirat e Piramidës së Tiranës dhe ishte pjesë e Javës Kulturore Hungareze.
Tema e workshop-it, “Shtëpia është aty ku ndodhet zemra”, ofroi një mundësi të veçantë për pjesëmarrësit të shpreheshin përmes pikturës dhe krijimeve personale mbi atë që ata e konsiderojnë si “shtëpi”. Në këtë aktivitet, artistët amatorë dhe profesionistë kontribuuan me vepra që pasqyrojnë përkufizime dhe ndjenja të ndryshme për konceptin e shtëpisë.
Ekspozita e realizuar nga Anna Konya në Piramidën e Tiranës, është një përpjekje për të shpërndarë përmes artit ndjenjat dhe përvojat që ajo ka përjetuar. Konya, e cila ka zgjedhur të jetojë në Shqipëri, e cilëson këtë vend si një burim të fuqishëm frymëzimi për artin e saj të pikturës. Ajo e përshkruan hapësirën e Piramidës si një vend të mrekullueshëm dhe një vend të cilin shqiptarët duhet të krenohen.
Javët Kulturore Ndërkombëtare, të cilat rifilluan pas një pushimi veror, nisën me aktivitetet e Hungarisë, të cilat përmbyllen sot. Pjesëmarrësit dhe vizitorët kanë pasur mundësinë të njohin më nga afër artin hungarez dhe të ndihen pjesë e një eksperiencë kulturore të pasur. Pas përfundimit të aktiviteteve hungareze, Javët Kulturore do të vazhdojnë me prezentime nga vende të tjera, duke kontribuar në ndihmën dhe përhapjen e kulturave të ndryshme në Shqipëri./UBTNews/