UBT News

Ekspertja ukrainase ligjëron për luftën kognitive dhe propagandën para studentëve të Studimeve të Sigurisë në UBT

Fakulteti i Studimeve të Sigurisë në UBT po vazhdon të pasurojë përvojën akademike të studentëve përmes ligjëratave tematike, të cilat sjellin perspektiva ndërkombëtare dhe ekspertizë profesionale mbi çështjet aktuale të sigurisë.

Në kuadër të këtyre aktiviteteve, ekspertja ukrainase Delfina Ertanowska mbajti një ligjëratë tematike me fokus luftën kognitive (Cognitive Warfare) dhe propagandën, duke trajtuar ndikimin e tyre në mjedisin bashkëkohor të sigurisë.

Ligjërata u zhvillua në kuadër të lëndës së profesorit Arian Kadriu, me pjesëmarrjen e studentëve të Studimeve të Sigurisë, të cilët patën mundësinë të thellojnë njohuritë mbi format moderne të ndikimit informativ, manipulimit të perceptimeve dhe përdorimit të informacionit si instrument strategjik.

Gjatë ligjëratës, vëmendje e veçantë iu kushtua rëndësisë së luftës kognitive dhe propagandës në kontekstin e sfidave të reja të sigurisë. Në një realitet ku informacioni qarkullon me shpejtësi dhe teknologjia ka ndryshuar mënyrën se si individët dhe shoqëritë informohen, kuptimi i mekanizmave të ndikimit mbi mendimin, perceptimin dhe vendimmarrjen është bërë gjithnjë e më i rëndësishëm për profesionistët e ardhshëm të sigurisë.

Trajtimi i këtyre temave u ofroi studentëve mundësinë të reflektojnë mbi rolin e propagandës në formësimin e narrativave publike, si dhe mbi rëndësinë e analizës kritike të informacionit në identifikimin e përmbajtjeve manipuluese.

Këto njohuri janë veçanërisht të rëndësishme në studimin e kërcënimeve hibride, ku mjetet informative dhe psikologjike mund të përdoren krahas instrumenteve të tjera për të ndikuar në stabilitetin institucional dhe shoqëror.

 

 

 

Exit mobile version