Fakulteti Media dhe Komunikim në UBT ka organizuar një ligjëratë tematike me eksperten ndërkombëtare nga Budapesti, Tímea Laboda, Senior Lecturer në Institutin e Marketingut dhe Komunikimit dhe udhëheqëse e Media Workshop në Budapest Metropolitan University (METU), e cila bashkë me studentët trajtoi mundësitë e përdorimit të inteligjencës artificiale në krijimin e përmbajtjes mediale.
Ligjërata me temën “Creative Media with AI: Tools and Ethics for Emerging Storytellers” u përqendrua në përdorimin e mjeteve të inteligjencës artificiale në prodhimin e përmbajtjes kreative, storytelling-un vizual dhe rëndësinë e etikës në një mjedis medial që po transformohet me shpejtësi nga teknologjitë e reja.
Gjatë ligjëratës, studentët patën mundësinë të njihen më nga afër me potencialin e AI-së në proceset kreative dhe në zhvillimin e formave të reja të komunikimit, duke diskutuar njëkohësisht edhe përgjegjësitë profesionale që shoqërojnë përdorimin e këtyre teknologjive. Vëmendje e veçantë iu kushtua raportit ndërmjet kreativitetit njerëzor, inovacionit teknologjik dhe parimeve etike në krijimin dhe shpërndarjen e përmbajtjeve mediale.
Aktivitete të tilla janë pjesë e angazhimit të Fakultetit Media dhe Komunikim në UBT për të ndërlidhur mësimdhënien me zhvillimet bashkëkohore në industrinë e medias dhe komunikimit, duke u ofruar studentëve mundësi për të zgjeruar njohuritë e tyre përtej ligjëratave të rregullta dhe për t’u përgatitur për sfidat e tregut modern të punës.
Përmes bashkëpunimeve ndërkombëtare dhe shkëmbimit akademik, UBT synon të krijojë një mjedis mësimor të hapur ndaj inovacionit, ku studentët përfitojnë nga përvojat dhe perspektivat e ekspertëve ndërkombëtarë, si dhe nga njohja me praktikat e reja profesionale.

