UBT News

Eksperti i shitjes dhe marketingut, Fisnik Behxheti, ndan përvojën 25-vjeçare me studentët e UBT-së

Studentët e vitit të tretë të Fakultetit Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi (MBE) në UBT, në kuadër të lëndës “Marketing dhe Menaxhim i Shitjeve”, të ligjëruar nga Prof. Rajan Arapi, mirëpritën në një ligjëratë të hapur ekspertin e shitjes, operacioneve dhe marketingut, Fisnik Behxheti.

Me mbi 25 vjet përvojë profesionale, Behxheti ndau me studentët rrugëtimin e tij në industrinë e shitjes dhe menaxhimit, duke sjellë shembuj konkretë nga përvoja në pozita drejtuese në disa prej institucioneve dhe kompanive të njohura në Kosovë, përfshirë TEB, PriBank, SPAR Kosovo, DEPO Market dhe KosInvest. Aktualisht, ai udhëheq ekipe ndërkombëtare të shitjes me mbi 100 profesionistë në katër vende.

Gjatë ligjëratës, vëmendje e veçantë iu kushtua mënyrës se si teoria e marketingut zbatohet në praktikën e përditshme të bizneseve. Përmes rasteve të kompanive globale si McDonald’s, Apple, Zara, Red Bull dhe Coca-Cola, studentët analizuan zbatimin e marketingut miks (4P), sjelljen e konsumatorit dhe ndikimin e emocioneve në vendimmarrjen për blerje.

Po ashtu, u diskutua për ndërtimin dhe menaxhimin e ekipeve të shitjes, matjen e performancës, rëndësinë e etikës profesionale në raport me klientët, si dhe ndikimin gjithnjë në rritje të inteligjencës artificiale në mënyrën se si konsumatorët informohen, kërkojnë dhe blejnë produkte e shërbime në vitin 2026.

Pjesa më interaktive e ligjëratës u zhvillua përmes ushtrimeve praktike, ku studentët analizuan marka vendore, testuan përmes telefonave të tyre mënyrën se si inteligjenca artificiale rekomandon bizneset kosovare dhe u përfshinë në simulime të skenarëve të shitjes B2B (biznes me biznes).

Përmes këtyre aktiviteteve, studentët patën mundësi të sfidojnë njohuritë e tyre, të zhvillojnë mendimin kritik dhe të kuptojnë më nga afër dinamikën e proceseve të shitjes në një treg gjithnjë e më konkurrues dhe të digjitalizuar.

UBT vazhdon të promovojë një qasje bashkëkohore të mësimdhënies, duke ndërthurur njohuritë akademike me përvojën e profesionistëve nga industria dhe duke krijuar ura të drejtpërdrejta bashkëpunimi ndërmjet studentëve dhe tregut të punës.

 

Exit mobile version