UBT News

Ekspertë klinikë ndajnë përvojën me studentët e Psikologjisë në UBT

Në kuadër të angazhimit për të ofruar një edukim të avancuar dhe të orientuar drejt praktikës, Fakulteti i Psikologjisë në UBT organizoi një ligjëratë të ftuar me Fatime Sahiti Bekteshi, specialiste klinike për fëmijë dhe adoleshentë në Klinikën EMOS.

Aktiviteti u realizua nën organizimin e Asst. Prof. Elona Krasniqi dhe u fokusua në trajtimin e çrregullimeve neurozhvillimore, duke përfshirë shenjat klinike, procesin diagnostikues, si dhe opsionet bashkëkohore të trajtimit dhe ndërhyrjes. Një vëmendje e veçantë iu kushtua çrregullimit të spektrit të autizmit, në kuadër të muajit të ndërgjegjësimit për autizmin.

Ligjërata u zhvillua me pjesëmarrjen aktive të studentëve të programit master në Psikologji, si pjesë e lëndës së Psikopatologjisë, duke u karakterizuar nga diskutime ndërvepruese, analiza të rasteve klinike dhe reflektime mbi qasjet moderne në vlerësim dhe ndërhyrje.

Gjatë aktivitetit u theksua rëndësia e identifikimit të hershëm, përdorimi i metodave të bazuara në evidencë dhe roli i bashkëpunimit multidisiplinar në mbështetjen e fëmijëve me nevoja neurozhvillimore, si në kontekstin klinik, ashtu edhe në atë edukativ.

Organizimi i ligjëratave të tilla me profesionistë të fushës është pjesë e qasjes së Fakultetit të Psikologjisë në UBT për të ndërlidhur teorinë me praktikën, duke u ofruar studentëve përvoja të drejtpërdrejta dhe njohuri të aplikueshme në tregun e punës.

Përmes këtyre aktiviteteve, UBT vazhdon të forcojë kapacitetet profesionale të studentëve dhe të krijojë ura bashkëpunimi me ekspertë dhe institucione relevante, duke kontribuar në formimin e psikologëve të rinj të përgatitur për sfidat reale të profesionit.

Exit mobile version