Ekrem Bajroviq është shpallur fajtor edhe në rigjykim dhe është dënuar me 12 vjet burgim për krime lufte ndaj popullatës civile në Saradran të Istogut.
Sipas aktakuzës, Bajroviq, si polic në Stacionin Policor në Gurrakoc në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, në bashkëpunim me të tjerë, më 8 maj 1999 kishte ndaluar një kolonë civilësh shqiptarë që po lëviznin drejt Shqipërisë. Nga ajo kolonë ishin marrë 16 burra, të cilët fillimisht ishin dërguar në një shtëpi ku ishin rrahur dhe keqtrajtuar.
Më pas, sipas aktakuzës, viktimat janë dërguar një nga një dhe janë pushkatuar, ndërsa i mbijetuari i vetëm ka qenë N.E., i cili kishte pësuar lëndime të rënda dhe ishte gjuajtur si i vdekur në mesin e trupave të tjerë.
Gjithashtu, Bajroviqi ngarkohet edhe për pjesëmarrje në arrestimin dhe keqtrajtimin e 84 civilëve shqiptarë më 7 maj 1999 në fshatin Saradran, të cilët fillimisht ishin plaçkitur dhe më pas dërguar në Gurrakoc, ku ishin maltretuar dhe torturuar.
Ndërkohë, dëshmitarët e rastit kanë shprehur pakënaqësi me dënimin prej 12 vitesh burg, duke e konsideruar atë të pamjaftueshëm për krimet e kryera gjatë luftës./A.K/
