UBT News

Ekipi olimpik i xhudos kosovare arrin në Japoni

Ekipi olimpik i xhudos kosovare ka zbarkuar në Japoni. Kontingjenti kosovar i xhudos ka mbërri në aeroportin e Tokios, ku është pritur nga i ngarkuari me punë i Ambasadës së Kosovës në Japoni, Arbër Mehmeti.

Ekipi kosovar menjëherë i është nënshtruar testeve për Covid 19, para se të udhëtojë drejt Komunës së Sanjos, ku do të përgatiten deri më 21 korrik 2021. Pesë xhudistë do ta përfaqësojnë Kosovën në “Tokyo 2020”.

Bëhet fjalë për Majlinda Kelmendin, Nora Gjakovën, Distria Krasniqin, Loriana Kukën dhe Akil Gjakovën. Ekipi po udhëhiqet nga trajneri Driton Kuka.

Xhudistët do të ushtrojnë në Komunën e Sanjos deri më 21 korrik, kur edhe do të vendosen në fshatin olimpik me pjesën tjetër të ekipit olimpik të Kosovës, shkruan Gazeta Express.

Vendi ynë do të marrë pjesë në Olimpiadë me 11 garues, prej tyre 6 me norma olimpike dhe 5 me ftesa. Realisht, Kosova synon ta fitojë së paku një medalje në “Tokyo 2020”, njëjtë siç bëri në Olimpiadën e Rios, pesë vjet më parë. 

Exit mobile version