Egzon Shala do të përballet me mundësin bjellorus Dzianis Khramiankou në rrethin e parë në peshën e rëndë, 125 kilogramë, në Lojërat Olimpike 2020.
Shorti i hedhur sot në Tokio e vuri kosovarin përballë mundësit nga Bjellorusia, në garë për medalje olimpike më 5 gusht, raporton Gazeta Express.
Shala është garuesi i fundit i Kosovës që do të garojë në Tokio 2020 dhe do të synojë t’i ndjekë hapat e xhudisteve Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova për t’i sjellë vendit medalje olimpike nga Japonia.
Por ai e ka vlerësuar si shumë të vështirë shortin dhe është shprehur i zhgënjyer me të.
“Është shorti më i keq i mundshëm. Të gjithë kundërshtarët e grupit tim janë medalist. Bjellorusi është fitues i turneut kualifikues evropian për Tokio 2020”, tha Shala për Komitetin Olimpik të Kosovës.
Ndërkohë, para tij, do të garojë vetëm edhe një kosovar, Musa Hajdari, i cili të shtunën do të luftojë për medalje në vrapimin 800 metra.
Kosova i ka fituar dy medalje olimpike në Tokio, të dyja të arta dhe të dyja në sportin e xhudos.
Distria Krasniqi e fitoi medaljen e artë në kategorinë 48 kilogramë në fund javë, e cila ishte e para për Kosovën në Tokio dhe e para për të në karrierë. Nora Gjakova e përsëriti suksesin e saj duke e fituar medaljen e artë në kategorinë 57 kilogramë.